McCain: SHBA duhet të rikonfirmojë angazhimin në Ballkan

McCain: SHBA duhet të rikonfirmojë angazhimin në Ballkan

26 prill 2017 23:15

Senatori republikan John McCain, bëri thirrje për rikonfirmimin e angazhimit amerikan dhe evropian në Ballkan, për të cilin tha se megjithëse ka përparuar ndjeshëm që nga konfliktet e vitit 1990, ende ka vështirësi dhe paqëndrueshmëri të konsiderueshme.

I kthyer së fundmi nga një turne në rajon, senatori McCain përmendi si sfida në një intervistë për shërbimin serb të Zërit të Amerikës, krizën në Maqedoni, drejtimin e Serbisë pas zgjedhjeve presidenciale, dhe rolin e islamizimit radikal.

“Shqetësimi im është se ndërsa vëmendja jonë është zhvendosur tek Rusia, tek Ukraina, tek Lindja e Mesme, tek Kina, nuk i kemi kushtuar vëmendjen e duhur, madje as evropianët nuk i kanë kushtuar vëmendjen e duhur Ballkanit”, tha ai.

Senatori McCain tha se është e qartë që rusët po përpiqen të shtrijnë ndikimin e tyre në rajon.

“Përpjekja për grusht shteti në Mal të Zi, është një shembull i qartë. Ishte një përpjekje për përmbysjen e një qeverie të zgjedhur të një vendi”, tha ai.

Faktin që Rusia po zgjeron influencën, ai ia atribuon mungesës së udhëheqjes amerikane dhe evropiane, në zonën që ai thotë se mendohet të jetë më e paqendrueshmja në Evropë.

“Ne luajtëm rol në zgjidhjen e konflikteve atje, që shkaktuan humbje jete dhe duket se vitet e fundit jemi tërhequr dhe ky është një shembull tjetër i nevojës absolute për rol udhëheqës të Shteteve të Bashkuara”.

Senatori McCain shprehu mbështetjen për vazhdimësinë e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit dhe bëri thirrje për pajtim në të mirë të së ardhmes së qytetarëve të dy vendeve.

Ai tha se kishte parë si në Kosovë edhe Shqipëri, një dëshirë të madhe për integrim në BE.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme