Arbëri

Hoti fton AAK-në ta votojë rezolutën për mbrojtjen e integritetit territorial të Kosovës

Descriptive Text

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti përmes një postimi në Facebook ka shkruar se nëse kryeministri Haradinaj e ka seriozisht atëherë duhet t’i udhëzojë deputetët e AAK-së që të votojnë rezolutën për mbrojtjen e integritetit territorial të Kosovës.

“Argumentohet gjerësisht nga analistë të respektuar se z. Haradinaj përmes mbajtjes në fuqi të taksës së 100 për qind, e ka parandaluar arritjen e një marrëveshje me Serbinë, e cila mund të përfshinte korrigjimin e kufirit dhe rrjedhimisht, cenimin e integritetit territorial të Kosovës”, ka shkruar Hoti, transmeton Koha.net.

Ai akuzon AAK-në e Nismën që nuk e kishin votuar më 4 shtator rezolutën që ia ndalonte secilit të bisedonte për territorin e Kosovës, përfshirë këtu edhe presidentin Hashim Thaçi.

“Por, më lejoni t’u përkujtoj të gjithëve për një fakt. Rezoluta e opozitës, e datës 4 shtator 2018, me një pikë të vetme ku thuhej se ‘Integriteti territorial i Kosovës është i pacënueshëm dhe askush, as presidenti i vendit, nuk mund të dialogojë për territorin e Republikës së Kosovës’ nuk u votua nga AAK-ja dhe Nisma edhe pse publikisht u patën deklaruar se e mbështesnin”, ka shkruar Hoti.

Ai ka ftuar AAK-në që pasnesër ta votojë këtë rezolutë.

“Pasnesër, në seancën e radhës, kjo rezolutë është në rend dite. Nëse z. Haradinaj e ka seriozisht, atëherë mund t’i udhëzojë deputetët e AAK-së ta votojnë këtë rezolutë. Është kaq e thjeshtë”, ka thënë Hoti.