Arbëri

Inspektorati do të shkojë sërish për hetime në vendin e punës ku vdiq 22 vjeçari nga Suhareka

Krenar Jemini nga fshati Mushtisht i Komunës së Suharekës është personi i parë që ka vdekur në vend të punës në vitin 2019.

Ai vdiq paraditen e së dielës në objektin e kompanisë së derivateve “Lab Oil”, e cila gjendet në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, raporton KTV.

Gjatë ditës së hënë kompania “Lab Oil” nuk ka lejuar kryeinspektorin e punës, Basri Ibrahimi, që të futet në punishten e saj, për të kryer inspektimet e nevojshme, pas vdekjes së 22-vjeçarit.

Ibrahimi ka thënë se nuk është i kënaqur me këtë dhe ka treguar se të martën do të shkojë përsëri për t’i vazhduar procedurat e nevojshme.

Ai ka thënë se nuk mund të flasë për rastin pa pasur raportet e para, por që në përgjithësi janë duke punuar për sigurinë e punëtorëve.

KTV-ja ka provuar të flasë me pronarë të kompanisë “LAB OIL”, por një person që është paraqitur si rojë e objektit, ka thënë se ata e kanë mbyllur fabrikën për të hënën.

Por, kjo kompani ka dhënë një sqarim të shkruar për versionin e saj të ngjarjes.

Sipas zyrtarëve të saj, i ndjeri kishte rrëshqitur në shiritin transportues të fabrikës, duke marrë lëndime vdekjeprurëse.

Prokuroria këtë po e heton si vdekje të dyshimtë.

Kryeprokurori i Prishtinës, Imer Beka, ka thënë për KTV-në se pos dëshmitarëve, do të ekzaminohen edhe kamerat dhe telefoni i të ndjerit që është gjetur në vendngjarje.

Familjarët e 22-vjeçarit nga Mushtishti i Suharekës nuk kanë dashur të flasin për ngjarjen tragjike.

Por, të afërmit e tij, prapa kamerës, kanë treguar se Krenar Jemini kishte nisur punën në këtë komani para 3 muajve.

Për vdekjet në vendin e punës, sindikata e pavarur e sektorit privat të Kosovës ka fajësuar institucionet, të cilat nuk po bëjnë asgjë për të rritur sigurinë e punëtorëve.

Sipas kësaj sindikate, ky është personi i pestë që vdes gjatë këtij viti në vend të punës.

Ndërkaq, gjatë vitit 2018 kanë vdekur 23 punëtorë. Nga ky numër, sipas Inspektoratit të Punës, 12 ishin punëtorë të ndërtimtarisë.