Arbëri

Tre dekanë në Universitetin “Haxhi Zeka” pas shkarkimit u zgjodhën Ushtrues Detyre

Pavarësisht se u shkarkuan nga pozita e dekanit në Universitetin “Haxhi Zeka” të Pejës, profesorët Halit Shabani, Nexhdet Shala e Adem Dreshaj, vazhdojnë ta mbajnë këtë pozitë si ushtrues detyre.

Ata ishin shkarkuar pasi, sipas statutit, dekani duhet të jetë profesor i asociuar, raporton KTV.

Por, ata kanë mbajtur pozitat, bazuar në Rregulloren e Këshillit Drejtues të Universitetit, që kishte përcaktuar se dekani mund të jetë vetëm profesor asistent.

Mbajtja e pozitës, pavarësisht se u shkarkua njëherë, nuk paraqet problem për profesorin Halit Shabani.

Në Rektoratin e Universitetit e arsyetojnë këtë me mungesë të kuadrove.

Sipas tyre, profesorët u zgjodhën nga këshillat e fakultetit dhe do ta vazhdojnë ta mbajnë pozitën deri në zgjedhjet e reja, që pritet të mbahen në vitin 2021.

Prorektori Ibish Mazreku ka thënë dekanët janë zgjedhur në procedurë të rregullt.

Ai ka thënë se rregullorja e cila përcaktonte që dekani duhet të jetë profesor i asociuar më pas është shfuqizuar, pasi në universitet ka mungesë të kuadrove.

KTV-ja ka provuar të flasë edhe me profesorët tjerë që kanë këto pozita, Nexhdet Shalën dhe Adem Dreshajn, por ata nuk kanë qenë të gatshëm për deklaratë.