Arbëri

MASHT-i rrit numrin e inspektorëve të arsimit që do të merren me vlerësimin e mësimdhënësve

Inspektoratit të Ministrisë së Arsimit do t’i shtohen edhe 20 inspektorë të rinj.

Kjo parashihet edhe me Ligjin e ri për Inspektoratin, që ishte miratuar në vitin e kaluar e në të cilin parashihet edhe vlerësimi i performancës të mësimdhënësve, raporton KTV.

Kryeinspektori Dëfrim Gashi, pranon që numri prej 50 inspektorëve nuk është i mjaftueshëm për të përfunduar të gjitha obligimet, të cilat i ngarkohen MASHT-it.

Inspektorët janë të ndarë në 8 rajonet më të mëdha në vend.

Megjithëkëtë, zyrtarët arsimorë nëpër komuna ankohen se procesi i vlerësimit të mësimdhënësve po shkon ngadalë për shkak të numrit të vogël të inspektorëve.

Përndryshe, vlerësimi i performancës për mësimdhënësit ka filluar në shtator të 2018-s dhe këtij vlerësimi i janë nënshtruar rreth 300 mësimdhënës në 60 shkolla të vendit.