Arbëri

Si është pritur platforma e dialogut me Serbinë

Foto: Driton Paqarada

Kuvendi i Kosovës ende nuk ka caktuar ndonjë datë për mbajtje të seancës në të cilën do të diskutohet dhe të hidhet në votim platforma shtetërore për dialogun me Serbinë. Dokumenti nuk po merr mbështetje nga partitë e mëdha opozitare, ndërsa deputetët që e iniciuan atë, shpresojnë se do të miratohet kur të arrijë në seancë. E njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se për çështjen e dialogut nevojitet një konsensus i gjerë brenda shtetit.

Pas shumë takimeve mes krerëve të institucioneve dhe ekipit shtetëror, platforma e hartuar për dialogun me Serbinë mori mbështetjen e kryetarit të Kuvendit, kryeministrit dhe presidentit.

Por, tani është në dorën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, se a e përkrahin një dokument i cili pritet të shërbejë për vazhdimin e dialogut me Serbinë, me qëllim të arritjes së marrëveshjes finale mes dy shteteve.

Sipas deputetit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu, platforma është përmbajtësore në vijat e kuqe, kushtet dhe parimet e Kosovës për një dialog të mirëfilltë.

“Unë besoj që do të miratohet meqë dokumenti është përmbajtjesor sa i përket vijave të kuqe, kushteve, parimeve tona për një dialog të mirëfilltë. Edhe këtu, sikur me ligj për paga, sikur me administratë shtetërore, kemi bërë një çarje të madhe në rendin e gjërave, deri më tash është dialogu pa asnjë dokument. Është dialogu nga individ me pozita, varësisht prej fuqisë që e kanë pas kanë bërë edhe negociata. Është hera e parë që dialogu kthehet në kuvend, e kemi një ligj për dialog i cili ka kaluar në lexim të parë, dhe tash e kemi një platformë që pak a shumë e kthen vendin e gjërave aty ku duhet të jetë”, thotë ai.

Ekipin negociator nuk e përkrahin dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Deputetja Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje, thotë se nuk e pranojnë mënyrën si është sjellë platforma. Sipas saj, ekipi nuk ka kompetencë.

“Për nëse së pari ka qenë komplet e papranueshme se si e kanë sjell platformë pa u votuar projektligji, nuk ka kompetencë ky ekip, projektligjin ne do ta dërgojmë në gjykatën kushtetuese nëse ai miratohet në shqyrtim të dytë. Dhe ne konsiderojmë që në këto rrethana vendi do të duhej të shkonte në zgjedhje të jashtëzakonshme, kemi një kuvend jo funksional, kemi një qeveri të pakicës dhe në këtë kuptim ne nuk mund të vazhdojmë kësisoj”, deklaron ajo.

Me këtë platformë, Kosova insiston që dialogu të mbyllet me Marrëveshje ligjore ndërkombëtarisht të obligueshme, përmes së cilës duhet të ketë njohje reciproke mes dy shteteve. E presidenti i Kosovës autorizohet të zhvillojë bisedimet për arritjen e marrëveshjes ligjore.

Njohësi i çështjeve politike, Belul Beqaj thotë se platforma do të mbështetet nga ata që e përkrahën formimin e ekipit negociator.

“Do të gjejë mbështetjen e atyre që e kanë pas mbështetjen për formimi e komisionit negociator, por unë thash, kjo është farsë. Në instancën e fundit, edhe sikur të ndodh që këta të insistojnë me koesistencë që në përpikëri të zbatohet platforma, rezoluta dhe ligji për dialogun, epilogu përfundimtar do të ishte pikërisht ky s’ka ndarje të Kosovës. Andaj, unë mendoj që pikërisht kjo është arsye që të gjitha këto farsa dhe ky dokument, këto dokumente ta kenë më tepër një natyrë të farsës sesa që është një çështje e cila me të vërtetë do të ndodh në formën se si e kanë menduar ata, ata të cilët mendojnë që janë akterë të cilët do të përfshihen në një proces historik të marrëveshjes mes Serbinë dhe Kosovës”, thotë Beqaj.

Sipas ekipit negociator, me këtë platformë tregojnë se janë të përkushtuar për të ndërtuar paqe në rajon dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore me shtetet e rajonit.

Por, në Instituti Demokratik i Kosovës thonë se në platformë do të duhej të përfshihej edhe kërkesa e Kosovës për kërkim falje nga ana e Serbisë.

Jeta Krasniqi nga KDI thotë se me anë të platformës Kosova duhet të kërkojë qartë të ketë njohje reciproke, dhe jo vetëm respektim të sovranitetit.

“Platforma është një mjet që e kemi kërkuar të dalë, por edhe platforma si dokument duhet të jetë një dokument i cili nuk krijon hapësira për ambiguitet, por që i ka qartazi kërkesa te Kosovës të parashtruara, duhet qartazi të kërkohet që në këtë proces të ketë njohje reciproke, jo vetëm respektim të sovranitet, por njohje formale të shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë, me integritetin e saj territorial, sovranitetin e saj, ashtu siç është shpallur në vitin 2008, në të njëjtën kohë është negative fakti që në këtë platformë nuk shohim kërkesën e palës kosovare për kërkim falje nga ana e Serbisë”, tha jo.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë refuzuar të përfshihen në hartimin e platformës për dialogun me Serbinë.

Pas dorëzimit të platformës në Kuvend, më 15 shkurt nga ana e ekipit shtetëror, u tha se ajo do të shqyrtohet në një afat të shpejtë kohor.