Arbëri

LVV e LDK në bashkëpunim për ta rrëzuar qeverinë por s’pranojnë mbështetje të Listës Serbe

Zgjedhjet janë opsioni i vetëm për Lëvizjen Vetëvendosje. Kryetari i LVV-së, Albin Kurti tha se vendi sa më parë duhet të shkojë në zgjedhje në mënyrë që t’i hapet rrugë zhvillimit ekonomik, prodhimit e punësimit.

Kurti shprehet kundër propozimeve për një qeveri gjithëpërfshirëse apo edhe teknike, duke shtuar se partia e tij nuk udhëhiqet nga parashikimet, por nga parimet.

“Ne të Lëvizjes Vetëvendosje nuk udhëhiqemi nga parashikimet, por nga parimet. Ne dëshirojmë që të ketë sa më parë për interesin e vendit zgjedhje të parakohshme parlamentare, zgjedhje demokratike nga të cilat do të dalin institucione me legjitimitet të freskët edhe qeveri e re e cila do t’i hap rrugë zhvillimit ekonomik të vendit që koncentrohet në prodhim e punësimi dhe tek drejtësia institucionale dhe gjyqësore, e cila përqendrohet te luftimi i krimit e korrupsionit. Nuk besoj që formulat dhe kombinimet qofshin ato për Qeveri teknike apo gjithëpërfshirëse do ta mund ta mbrojnë sovranitetin dhe zhvillojnë ekonominë”, tha ai për EO.

Kreu i VV-së thotë se me LDK janë duke bashkëpunuar për të siguruar numrat për rrëzimin e Qeverisë, por që nuk do të mbështesin asnjë iniciativë të Listës Serbe në këtë drejtim.

“LVV dhe LDK janë partitë më të mëdha në vendin tonë dhe janë parti opozitare që koordinohen brenda Kuvendit dhe jashtë tij. Ne jemi të interesuar që të largohet kjo Qeveri dhe të kemi zgjedhje të parakohshme. Natyrisht që ne nuk mbështesim iniciativat që burojnë nga Lista Serbe, por është përshtypja ime që Lista Serbe nuk është e interesuar për rrëzimin e Qeverisë. Ajo është e interesuar për një Qeveri të dobët. Kur të kemi numrat e domosdoshëm për rrëzimin e Qeverisë ne si VV dhe LDK natyrisht që do ta ndërmarrim një mocion për rrëzimin e Qeverisë dhe ne nuk mund të ia imponojmë asnjë deputeti se si do të votojë pavarësisht se prej cilës parti vjen”, tha tutje.

Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj nuk duhet të rrëzohet për shkak të taksës 100% ndaj mallrave që vijnë nga Serbia, por për keqqeverisje, thotë Kurti.

“Kjo është një qeveri e pakicës e cila ka bërë shumë gabime dhe është karakterizuar nga skandale të panumërta, por ndonëse ne angazhohemi për zgjedhje të parakohshme demokratike ne nuk besojmë që kjo Qeveri duhet të rrëzohet për shkak të taksës 100% ndaj mallrave të Serbisë, por për keqqeverisje brenda vendit tonë. Nuk e kanë zhvilluar ekonominë, ne jemi ngulfatur nga deficiti tregtar, nuk ka punësim për rininë dhe për gratë, po ashtu nisi dyfishimin e pagave vetvetes. Pra kemi nevojë për Qeveri të ri, kemi nevojë për legjitimitet të ri që do të thotë se kemi nevojë për zgjedhje të reja demokratike të parakohshme në republikën e Kosovës”, tha tutje.

Kurti edhe një herë ka përsëritur se duhet të fillohet dialogu me serbët e Kosovës, duke shtuar se nuk duhet të vrapohet në takime të kota me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, ku dëgjohen përrallat e vjetar çetnike për Kosovën.

“Për neve platforma me parime duhet të jetë hapi i tretë që do të miratohej me 2/3 e kuvendit e jo me shumicë të thjeshtë. Hapi i parë është shqyrtimi dhe vlerësimi i 33 marrëveshjeve të deritanishme sepse 6 vjet kanë negociuar dhe të njëjtin njerëz po na japin premtime të reja ndonëse nuk i kanë përmbushur ato të vjetrat. Hapi i dytë do të duhej të ishte dakordimi i krerëve institucional dhe partiak për qëllime tona karshi Serbisë që përkthehen në kërkesat tona ndaj Serbisë si borxhliu ynë më i madh. E unë këtu do të theksoja njohjen e pavarësisë së shtetit të Kosovës, të pagjeturit përkatësisht zbardhjen e fatit të tyre, më pas shpagimin e dëmtimit humbjet që na janë shkaktuar gjatë luftës dhe parimi i reciprocitet meqenëse në përgjithësi më shumë ka shqiptar në Serbi sesa që ka serb në Kosovë. Ne do të fillonim si një Qeveri e re një dialog me serbët e Kosovës sepse konsiderojmë se Republika e Kosovës duhet t’i trajtojë me shumë më tepër vëmendje dhe prioritet serbët e Kosovës e jo të vrapojë në takime të kota me Vuçiqin ku dëgjon përrallat e vjetar çetnike për Kosovën”, përfundoi ai.