Arbëri

Edhe PDK-ja në Pejë kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Lumbardh

Foto: PDK, Dega në Pejë

Pas reagimit kundërshtues që erdhi nga Dega e AAK-së në Pejë ndaj projektit të përfolur për ndërtimin e hidrocentraleve në Lumëbardh, edhe dega e PDK-së në këtë qytet del me një qëndrim të njëjtë.

Kjo Degë, në një reagim dërguar mediave, thotë se bashkë me Rininë Demokratike të Kosovës, ka marrë iniciativë për organizimin e peticionit për ta kundërshtuar ndërtimin e hidrocentraleve në rrjedhën e lumit Lumbardh.

“Qytetarë të shumtë kanë nënshkruar peticionin përmes secilit njëzëri kundërshtojnë mundësinë e ndërtimit të hidrocentraleve në Lumbardh. PDK në Pejë do të vazhdojë edhe ditëve në vijim me mbledhjen e nënshkrimeve nga ana e qytetarëve për ta kundërshtuar fuqishëm çdo përpjekje që do të vijë nga kushdo qoftë që do të dëmtonte ambientin në Pejë”, thuhet në komunikatën e Degës së PDK-së në Pejë.

Reagime e kundërshtime ndaj planeve për ndërtimin e hidrocentraleve në shtratin e Lumbardhit të Pejës ka pasur ditëve të fundit nga shumë aktorë politikë, nga shoqëria civile e nga qytetarët e Pejës.