Arbëri

Vllasi: Minatorët e kthyen vëmendjen e botës demokratike nga Kosova

Foto: Koha

Azem Vllasi ishte lëshuar mesnatën e 24 shkurtit 1989 në horizontet e Minierës së Stantërgut për t’u solidarizuar me minatorët grevistë që kërkonin kthimin e anëtarëve të shkarkuar të Kryesisë Komuniste të Kosovës në nëntorin e vitit 1988.

Në mesin e tyre ishte edhe Vllasi, politikan i ri në ngritje edhe në nivel federal. Minatorët kishin marshuar më 17 nëntor në këmbë nga Stantërgu në Prishtinë për të mos lejuar emërimin e shqiptarëve të dëgjueshëm të Slobodan Milosheviqit në ngritje të rrufeshme në Jugosllavinë e lëkundur fort, shkruan sot “Koha Ditore”.

Milosheviqi kishte emëruar tre funksionarë shqiptarë që po dëshmonin besnikëri ndaj lidershipit serb që po shtypte shqiptarët e Kosovës. Rrahman Morina – si sekretar i Brendshëm, kishte thirrur trupat federale për të shtypur protestat e vitit 1981 – Husamedin Azemi dhe Ali Shukriu u vunë në krye të aparatit që kishte shtypur dhunshëm kryengritjen gjithëpopullore në fundvitin 1988. Jehona e pakënaqësisë së minatorëve po vinte më fuqishëm më 20 shkurt 1989, kur nuk pranuan të dilnin nga horizontet dhe shpallën grevën e urisë.

“Me grevën e minatorëve dhe rezistencën e gjithë popullit që pasoi, e posaçërisht për shkak të përdorimit brutal të forcës kundër nesh pas vendosjes së gjendjes së shtetrrethimit, bota demokratike, por edhe të tjerët në Jugosllavi u tmerruan nga arroganca e Serbisë dhe regjimi i Milosheviqit”, thekson Vllasi në një intervistë për temën e javës.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)