Arbëri

Kontrabandë me drogë dhe telefona në burgjet e Kosovës, fajësohen gardianët

Foto: Koha

Të dënuarit në burgjet e Kosovës po e bëjnë jetën pothuajse njëjtë si jashtë grilave. Haraçi, droga, alkooli, dhuna, janë disa nga fenomenet që hasën në këto institucione. Shumë prej njerëzve që vuajnë dënimin flasin kur të duan me telefona, me të afërm, miq, avokatë, madje me këtë telefona kryejnë të gjitha shërbimet që u duhen.

Për të gjitha këto, për KosovaPress rrëfen një person, i cili dikur ishte i dënuar më burgim, për shkak të kontrabandës me drogë, e që këto brenda burgut i kishte bërë edhe vetë. Ndërsa, gjatë vitit 2018 vetëm në burgun e Dubravës janë konfiskuar mbi 100 telefona.

Për gjashtë vjet me radhë ai kishte qëndruar prapa grilave për shkak të kontrabandës që kishte bërë me substanca narkotike. Një pjesë të dënimit ai e ka vuajtur në burgun e Dubravës, një tjetër në Lipjan e pastaj në Smrekonicë.

Në kushte anonimiteti, thotë se futja e tyre dhe përdorimi, ani pse prapa grilave, është shumë i lehtë.

“Pa e pas telefonin nuk mund ta sjellin drogën në burgje, telefonin duhet ta kesh për me thirr dikë, me ta pru drogën, ose me ja çu dikujt, kështu që lidhjet gjithmonë ekzistojnë. Përderisa nuk ka telefon në burg, ai nuk mundet përmes telefonit të burgut me thirr, me i thonë sillma, shko përgatite dhe dërgoma. Telefoni përdoret zakonisht në mbyllje, ose një qëndron te dera duke i ruajtur, ose varet qysh. Për shembull është mbyllja në 22:00 në mbrëmje, e merr telefonin fol tërë natën fol deri në mëngjes. Vijnë në 12:00 kontrollojnë, shikojnë pak dhe largohen”, thotë ai.

E për të gjitha këto ai fajëson gardianët.

Për gjashtë vjet sa kishte qëndruar në burg, ai thotë se për futjen e telefonave është ndihmuar nga vet gardianët. Këta të fundit, sipas tij, nuk është që bëjnë kontrolle të mëdha.

“Çfarë kontrolle, hyjnë edhe dalin. E gjejnë ndonjë kabllo, ndonjë telefon, ndonjë ngrohës të ujit, e marrin thonë kemi bastisje, gjetëm diçka. Edhe nuk gjejnë asgjë, gjejnë ndonjë telefon të keq, gjithmonë telefonat e këqij ne i lëmë aty, për me i gjetë në këpuca diku, kur kontrollojnë gjejnë ndonjë telefon të keq aty” vazhdon ai.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi pohon se siguria në burgje nuk është në nivelin e duhur. E për abuzime të tilla ai fajëson vet gardianët.)

“Këtu bëhen disa abuzime nga vet gardianët aty që janë apo shërbyes në kuadër të tyre, të burgjeve. Duke toleruar mundësinë e futjes, mos kryerjen e procedurave të bastisjeve në rastin e futjes të gjësendeve aty. Aty kanë ardhur qoftë droga, qoftë edhe mjetet e rrezikshme deri edhe tek armët, dhe pjesë tjera të telefonit, mundësia që realisht nuk lejohet në ato qendra. Mendoj që duhet të rishqyrtohet edhe një herë aspekti i trajnimit të stafit në këto burgje apo qendrat për edukim apo edhe aspekti i vet sigurisë, krijimit të sigurisë të brendshme të rrethojave por edhe të mbikëqyrjes së rregullt, që të mos vie deri në fatkeqësi brenda të vet burgosurve që janë në mbajtje”, thotë Ibishi.

Një gjë të tillë, e thotë edhe ish i burgosuri në rrëfimin për KosovaPress, ku sipas tij, gardianët në burgjet e Kosovës korruptohen, dhe këto veprimtari shumë lehtë ushtrohen.

Se raste të tilla janë evidente në burgjet e Kosovës, e thotë edhe Alban Muriqi nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.

Ai thotë se nga monitorimet që bëjnë në burgjet e Kosovës, kjo dukuri është shumë e theksuar në burgun e Dubravës.

Zëdhënësi për media në Policinë e Kosovës, Daut Hoxha ka treguar se cilat janë veprimet që po ndërmarrin pas raportimit të këtyre rasteve.

“ Raste të tilla raportohen në Polici të Kosovës, kurdo që ato paraqiten dhe ne konform procedurave ligjore, duke u bazuar edhe në kodin penal të Republikës së Kosovës, ne i evidentojmë rastet, natyrisht përveç këtyre rasteve që ndërlidhen me posedim apo përdorim të substancave narkotike, ne ndërmarrim edhe veprime tona aty ku vërehet se ka keqpërdorim të autoritetit apo pozitës zyrtare, dhe bazuar në procedura ligjore, natyrisht edhe në konsultim me prokurorët kompetentë dhe autoritetet tjera të drejtësisë, ndërmarrim veprimet tona në mënyrë që rastet të procedohen dhe të kompletohen, që personat e dyshuar të dalin para drejtësisë”, deklaron ai.

Aktualisht në burgjet e Kosovës janë rreth 1650 të burgosur.