Arbëri

Lirohet nga paraburgimi një nga të dyshuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Foto: Reuters

Gjykata Themelore e Prishtinës ka bërë të ditur se njërit nga të dyshuarit për vrasjen e politikanit serb në veri të Kosovës, Oliver Ivanoviq, i është zëvendësuar masa e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak dhe paraqitjes në polici.

Mirlinda Gashi, zëdhënës e Gjykatës Themelore të Prishtinës, ka konfirmuar për KTV-në se kërkesa për këtë zëvendësim të masës ka ardhur me kërkesë të Prokurorisë.

“Prokuroria ka kërkuar që të dyshuarit Markoviq t’i zëvendësohet masa e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak dhe paraqitjes në polici dhe gjykata vetëm e ka aprovuar këtë kërkesë”, ka thënë Gashi.

Bëhet fjalë për Dragisha Markoviqin, polic i Kosovës në veri të vendit, i cili ishte arrestuar para tre muajsh.

Sipas mediave serbe, dy të arrestuarve tjerë, Nedelko Spasojeviqit, polic hetues nga veriu i Kosovës, dhe Marko Rosiqit u është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj, transmeton Koha.net.

Avokati i Spasojeviqit, Negovan Sharanoviq, ka thënë për mediumin serb “KRIK” se do të apelojë këtë vendim të gjykatës sepse mendon se nuk ka arsye për vazhdim të paraburgimit. Ai thekson se në bazë të ligjeve të Kosovës, një i dyshuar mund të qëndrojë në paraburgim deri në tetë muaj, ndërsa në raste të caktuara, ai afat mund të zgjatet deri në 12 muaj.

Spavojeviq dhe Rosiq u arrestuan si pjesë e një grupi kriminal të dyshuar se kanë kryer veprën “ndihmë në vrasje të rëndë”. Ndërsa i pandehuri Markoviq, po ashtu si anëtar i grupit, dyshohet të këtë kryer veprën penale të “zbulimit të fshehtësisë zyrtare”.

Ivonoviqi u vra para selisë së tij në veri të Mitrovicës më 16 janar të vitit 2017.