Arbëri

Kombinati “Trepça”, së shpejti shoqëri aksionare

Foto: Koha / ilustrim

Autoritetet kompetente në Kosovë thonë se janë në grumbullim e sipër të të gjitha dokumenteve të nevojshme për të bërë regjistrimin e kombinatit metalurgjik "Trepça" si shoqëri aksionare.

Kombinati metalurgjik "Trepça", gjendet në Komunën e Mitrovicës. Sektorët e tij gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit. Andaj, dokumentacioni për regjistrimin e kësaj ndërmarrjeje po kërkohet edhe nga pjesa tjetër e "Trepçës" në veri.

Regjistrimi i "Trepçës", pason miratimin nga Kuvendi i Kosovës javë më parë të statutit të “Trepçës”, që i hapi rrugë regjistrimit të ndërmarrjes si shoqëri aksionare, ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës dhe 20 për qind janë aksione të punonjësve të “Trepçës”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ditë më parë në ceremoninë e shënimit të 30-vjetorit të Grevës së Minatorëve në Stantërg, ka kërkuar që sa më shpejt të dorëzohen të gjitha materialet e nevojshme për regjistrim të “Trepçës”.

Radio Evropa e Lirë