Arbëri

UNDP-ja vazhdon të mbështesë MPB-në në fushën e legalizimit të armëve

Descriptive Text

Në një ceremoni dorëzim – pranimi që u mbajt sot, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), përmes projektit për Siguri në Kosovë, dorëzoi pajisje teknike Departamentit për Siguri Publike të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB).

Në kuadër të kësaj mbështetjeje, siç bëhet e ditur në komunikatën e UNDP-së, projekti ndihmon në zbatimin e legjislacionit që rregullon tregtinë, posedimin, gjetjen dhe importimin e armëve dhe eksplozivëve për sektorin privat dhe qeveritar. Në suaza të vendimit të fundit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe përpjekjeve për legalizimin e armëve në Kosovë dhe bazuar në vlerësimin e nevojave të përbashkëta, zyra e UNDP-së në Kosovë ka blerë një printer të posaçëm bashkë me mjetet përkatëse, i cili do të ndihmoj këtë proces përmes printimit të lejeve për armët e legalizuara.

“Gjurmimi është i lidhur ngushtë me regjistrimin adekuat dhe ruajtjen e provave. Lejet që do të printohen janë rezultati përfundimtar i një zinxhiri të dëshmuar mirë”, thuhet në njoftim.

Mensur Hoti, Drejtor i Departamentit për Siguri Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Valbona Bogujevci, Asistente e Përfaqësueses së Përhershme dhe Koordinatore e Programit në UNDP vlerësuan se projekti ka ofruar përkrahje në kohë dhe efikase bazuar në nevojat reale të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ata ripërsëritën përkushtimin për mbështetje dhe bashkëpunim të vazhdueshëm në forcimin e hetimit të krimeve me armë dhe rritjen e sigurisë publike në Kosovë.

Ky projekt mbështetet me një kontribut financiar nga United Nations Trust Facility Supporting Cooperation on Arms Regulation (UNSCAR).