Arbëri

Kosnett thotë Amerika në Kosovë përqendrohet në paqe, drejtësi dhe mirëqenie

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, deklaroi sot se përkrahja e nismave për edukim është thelbësore për suksesin e shtetit të Kosovës, pasi programet në edukim u japin nxënësve mjete praktike dhe shkathtësi të reja për të vazhduar studimet e avancuara.

Ai këto komente i bëri me rastin e lansimit të “Junior geeks”, program ky i financuar nga Departamenti amerikan i Shtetit, përmes Ambasadës amerikane në Prishtinë dhe ICK.

Programi është i ndarë si shpërblim për grupin e tre bursistëve. Në ceremoninë e lansimit u tha se platforma gjithëpërfshirëse për nxënësit e shkollave të mesme për të mësuar dhe zhvilluar ndërmarrësinë, teknologjinë e inovacionin, transmeton kp.

Ambasadori Kosnett tha se programe të tilla si “Junior Geek” u japin nxënësve mjete praktike dhe shkathtësi të reja për të vazhduar studimet e avancuara, e gjithashtu edhe të jenë konkurrues në tregun e punës.

“Puna e qeverisë amerikane në Kosovë përqendrohet rreth tre temave kryesore: paqes, drejtësisë dhe mirëqenies. Të gjithë ata nxënës që do të marrin pjesë në këtë program do të jenë më të përgatitur për të kontribuar në zhvillimin e Kosovës në tre fushat e përmendura. Lidhja të mirëqenia është e qartë, programi përqendrohet në shkathtësitë kryesore që nevojiten për të kontribuar në ekonominë që çdo ditë ndryshon dhe që është e fokusuar kah teknologjia. Me mbështetjen e qendrës inovative të Kosovës dhe mentorëve të tjerë, ju do të përmirësoni disa prej vetive të domosdoshme për t’u bërë ndërmarrës të suksesshëm si dhe për të krijuar vende pune”, tha ai.

Diplomati amerikan tha se platformat online ofrojnë mënyra se si publiku mund t’i kërkojë llogari qeverisë dhe të kontribuojë për sundimin e ligjit në Kosovë.

Për Kosnett, është shumë e rëndësishme që programi është hartuar si platformë përfshirëse që bënë bashkë të rinjtë përtej kufijve gjeografik dhe etnik.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi tha se rinia kosovare e ka talentin, veçse duhet ofruar mundësi që ata të zhvillohen.

“Ajo çka i duhet rinisë tonë është t’u krijojmë mundësi dhe kushte, sepse talentin e kanë, dhe tregon rezultati këtu sot se çfarë talenti kemi te të rinjtë tanë. Partnerët tanë të rëndësishëm po na krijojnë mundësi për të rinjtë tanë, por na mbetët obligim i yni shumë i madh që të rinjve tanë t’u krijojmë kushte dhe mundësi që vërtet të jenë e ardhmja jonë. Nëse ne do të arrijmë që të rinjve tanë t’u krijojmë kushte çfarë sot po prezantohen, të jemi të sigurt që e ardhmja e vendit tonë është shumë e sigurt”, tha ai.

Edhe drejtori ekzekutiv i ICK-së, Uranik Begut, tha se programi që u lansua sot do të ketë më shumë ndikim nëse është gjithëpërfshirës.

“Një shoqëri e cila nuk është e aftë që të përfshijë të gjitha pjesët e komuniteti të vet, nuk do të ketë zhvillim. Prandaj, falënderim për ju që keni ardhur prej Mitrovicës, Pejës, të gjitha komunave të tjera, besoj që ky program do të jetë më i plotë dhe më kuptimplotë dhe më me ndikim nëse bëhemi bashkë dhe e përçojmë një mesazh që Kosova meriton më mirë, meriton tema më të mira”, tha Begu.

Ai tha se janë të hapur për çdo iniciativë që ka për synon përmirësimin e mirëqenies dhe që fokus ka zhvillimin ekonomik.

Ndryshe, platforma “Junior Geeks” do të sjellë ekspert lokal nga bota e teknologjisë, shkencës dhe inovacionit, në dispozicion te të rinjve të klubeve shkollore, për të mësuar rreth temave që u ndihmojnë atyre të formësojnë dhe zbatojnë shkathtësitë në fusha si programimi, robotika, siguria kibernetike e të tjera.

“Junior Geeks” është nisma e parë e zbatuar në shkollat e mesme, e cila do të materializojë talentin e nxënësve në teknologji, inovacion, shkencë e ndërmarrësi.

Programi u nda si shpërblim për grupin e tre bursistëve Eldita Tarani, Shpend Lila dhe Zana Tabaku.