Arbëri

Osmani: Shpresoj që Kosova e Serbia të nxiten nga historia jonë e suksesit

Descriptive Text

Zëvendëskryetari i Qeverisë së Maqedonisë Veriore, përgjegjës për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, ka thënë se shpreson që historia e suksesit të vendit të tij të jetë nxitje në arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë.

Osmani, i cili po qëndron në Vjenë ku mori pjesë në mbledhjen e ministrave për Çështje Evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, organizuar nën ombrellën e ministrit Federal për Çështje Evropiane të Austrisë në zyrën e Kancelarit Federal, Gernot Blumel, kushtuar sfidave me të cilat ballafaqohet Bashkimi Evropian në krijimin e të ardhmes së Evropës, tha po ashtu se të gjitha vendet kandidate për anëtarësim në BE kanë ambicie dhe qëllim të përbashkët për të qenë pjesë e BE-së, “sepse vetëm një Ballkan i qëndrueshëm, i sigurt dhe i begatë është garancë e fortë për një Evropë të qëndrueshme, të sigurt dhe të begatë në tërësi”.

Ai potencoi se vendet e Ballkanit Perëndimor, jo vetëm gjeografikisht por edhe politikisht dhe kulturalisht, kanë qenë gjithmonë pjesë e Evropës.

“Në rajon ka një realitet të ri të quajtur Republika e Maqedonisë së Veriut. Ky është vendi i cili pa dyshim bëhet anëtar i 30-të i Aleancës së NATO-s, i cili ka pritje reale për të filluar negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian këtë vit; ky është vendi i cili po shndërrohet në shembull për demokraci të organizuar funksionale, multikulturore, multietnike dhe multigjuhësore”, theksoi Osmani, duke potencuar se vendi tij nuk ka më asnjë çështje të hapur me fqinjët, “por edhe që ka arritur t’i mbyllë të gjitha çështjet kryesore të hapura brenda, në shtëpi”.

“Shpresoj që historia jonë e suksesit të jetë nxitje për vendet tjera të rajonit, këtu gjithsesi në mënyrë të veçantë mendoj edhe për Kosovë dhe Serbinë, për zgjerimin e vizioneve të tyre politike, duke lënë më shumë hapësirë për kompromis, qasje pozitive dhe vullnet politik diplomatik, për t’i dhënë fund kontestit të tyre”, theksoi Osmani, duke nënvizuar zgjidhjen e kontestit Prishtinë – Beograd si më të vështirin, më kompleksin, si dhe për momentin prioritetin më të rëndësishëm në rajon.

Zëvendëskryeministri shprehu mirënjohje të veçantë për nikoqirin Blumel, fillimisht për mbajtjen e takimit, duke krijuar mundësi që të gjithë Ministrat në një vend të ndajnë idetë, vizionet dhe pritjet e tyre lidhur me zhvillimin e Bashkimit Evropian në të ardhmen, por në përgjithësi edhe mirënjohje ndaj Austrisë për mbështetjen e madhe ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, në aspiratat për anëtarësim në BE, veçanërisht në kuadër të presidencës së tyre me Unionin, duke vendosur përparimin e rajonit si një nga prioritetet më të rëndësishme të BE-së.