Arbëri

Fleckenstein: Djegia e mandateve e rrezikshme, protesta të jetë paqësore

Tiranë, 21 shkurt - Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, shprehu sot shqetësimin për bojkotin apo djegien e mandateve nga opozita duke deklaruar se “kam dëgjuar që opozita jo për herë të parë, do të djegë mandatet dhe këtë nuk e kuptojmë në Bruksel”.

Në një reagim për djegien e mandateve që erdhi pas protestës së dhunshme të 16 shkurtit, Fleckenstein thekson se “politikanët, anëtarët e parlamentit zgjidhen për të përfaqësuar në parlament një alternativë më të mirë se politikat e qeverisë. Si mund të bëjnë këtë nëse nuk marrin pjesë? E dyta, kam dëgjuar që mund të ketë një bojkot të zgjedhjeve gjithashtu, por shpresoj që ky të jetë vetëm thashethem, sepse mendoj se zgjedhjet do të zhvillohen gjithsesi”, nënvizoi Fleckenstein.

E treta gjë, thotë ai janë protestat.

“Në parim është gjë e mirë sepse tregon se njerëzit duan të vihen re, e për sa kohë është paqësore mendoj se është e drejta e njerëzve dhe ata duhet të shprehin ndjenjat. Kam parë kryesisht njerëz shumë paqësor në protestë, por pashë edhe disa që përdorën dhunë kundër Kryeministrisë. Duhet të jemi të qartë të gjithë, qoftë opozita, qoftë mazhoranca që dhuna nuk lejohet. Dhe duhet të jemi të qartë që janë përgjegjës ata që ftojnë për protesta, ata duhet të kujdesen që protestuesit në rrugë janë paqësorë”, theksoi Fleckenstein.

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, shprehet se “nuk jam i sigurtë nëse protesta do ndikojë, përsa kohë janë paqësore, nëse nuk janë paqësore patjetër, sepse kanë përgjegjësi ata që i ftojnë njerëzit, ata duhet edhe të organizojnë. Më shqetëson më shumë bojkoti apo djegia e mandateve, nuk jam i sigurtë që s’do të jetë shqetësuese nëse Shqipëria nuk ka një parlament funksional apo nëse opozita nuk do të kontribuojë, prandaj po mendoj se do të ndikojë dhe mund vetëm të shpresoj që kushdo ta kuptojë që s’duhet të habiten nëse shtyhet sërish.

“Sigurisht dhe kjo është një pikë shumë e rëndësishme e vizitës sonë, dhe nuk i përket vetëm një partie, EPP, SNT, liberalët, të gjelbrit, jemi të gjithë dakord për një gjë, ju lutem mos hiqni dorë nga mandatet, ju lutem bëni punën tuaj. Për më tepër, si politikan i opozitës mund të organizosh protesta e mitingje paqësore, por nuk duhet të jetë zgjidhja kjo, anëtarët e parlamentit zgjidhen për të përfaqësuar votuesit e tyre në parlament, kjo duhet të jetë e qartë për këdo, pork jo nuk është e re, të gjithë e dinë që ky është opinioni im, edhe i Eduard Kukanit nga EPP, dhe nga dy parti të mëdha në Europë”, tha Fleckenstein/ATSH.