Arbëri

Ahtisaari: Mos humbni kohë, vazhdoni dialogun me Serbinë

Descriptive Text

Në 100-vjetorin e pavarësisë së Finlandës, të mërkurën në Prishtinë u mbajt seminari “Kosova dhe Finlanda bashkërisht e ndërtojnë të ardhmen”.

Ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Anne Huhtamaki, tha se Kosova është në rrugën e saj drejt integrimit evropian dhe se Finlanda do të vazhdojë ta përkrahë atë, ndërsa pohoi se është krenare që në Prishtinë po ndajnë këtë storie në 100- vjetorin e pavarësisë së Finlandës.

“Mijëra finlandezë kanë marrë pjesë në operacionet e menaxhimit të krizës bashkëpunim në zhvillim të Kosovës ndër vite. KFOR-i, i udhëhequr nga NATO, synojnë të fuqizojnë sundimin e ligjit dhe projekte të tjera siç janë projektet e binjakëzimit. Gjatë 17 viteve të kaluara bashkëpunimi në zhvillim i Finlandës ka kontribuuar me 53 milionë euro. Ne investojmë në bashkëpunim me kosovarët dhe partnerët ndërkombëtarë, por gjithashtu shikojmë përpara. Finlanda synon të japë kontributin e saj të drejtë dhe të barabartë në këtë bashkëpunim”, tha ajo, raporton KP.

Ndërkaq presidenti i vendit, Hashim Thaçi, tha se Finlanda ka qenë ndër shtetet e para që e ka njohur Kosovën dhe vazhdon ta përkrahë në konsolidimin e mëtutjeshëm të saj në sferën ndërkombëtare dhe se për këtë qytetarët e Kosovës, sipas tij do t’i jenë mirënjohës përgjithmonë.

“Kosova e njeh mirë këtë rol të Finlandës dhe përgjithmonë është mirënjohëse për përkrahjen që ka dhënë në kohët më të vështira, por vendimtare për paqen, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Përvoja e parë e Kosovës në angazhimin e Finlandës për paqe, fillon me presidentin Ahtisaarin qysh në vitin 1999, kur ai negocionte me Millosheviqin për tërheqjen e trupave serbe nga Kosova. Vendosmëria guximi dhe drejtësia që prezantonte Ahtisaari dhe ekipi i tij bëri që Millosheviqi të kapitullonte. Dua të ndaj një përvojë timen me punën tonë të përbashkët me presidentin Ahtisaari. Nuk ishte e lehtë për të dhe ekipin e tij në angazhimin e tij që të menaxhonte këtë proces të shumë takimeve që zhvilluam në Prishtinë, por dhe të dy delegacioneve të niveleve me të larta në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por ai gjithmonë ishte njëri i vendosur me humorin e tij në shpirt në mendje dhe në majë të gjuhës. Gjit hashtu, e çmoj dhe vlerësoj lart përvojën e presidentit Ahtisaarit dhe si edukator, sepse nuk ishte e lehtë për të që të fuste në një sallë politikanë të lazdruar dhe kryeneç të Ballkanit dhe të punonte me ta për arritjen e një marrëveshje. Por, ai arrinte në çdo moment të menaxhonte situatën”, tha Thaçi.

Ndërsa ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, e quajti të veçantë lidhjen mes Kosovës dhe Finlandës.

“Marrëdhënia në mes vendeve tona, është një miqësi politike mes popujve para se te jene miqësi politike mes shteteve. Shumë qytetarë të Kosovës, në një kohë të përndjekjes politike në vitet 80 ta, në kohën e aparteidit në fillim të viteve 90 ta. Në kohen e spastrimit etnik dhe gjenocidit, gjatë luftës në Kosovë, kur ishin të kërcënuar me ekzistencën e tyre, ata kanë gjetur një siguri dhe fizike dhe emocionale në Finlandë. Kosova i është shumë mirënjohëse Finlandës, për një prani të madhe të diasporës atje. Marrëdhënia në mes të vendeve tona, nuk është vetëm një marrëdhënie në raport të thjeshtë ndërshtetëror. Është një lidhje e veçantë dhe është një lidhje nder personale. Dhe kjo lidhje ndërpersonale në shtetin në krijim e sipër Kosovën, në mes të një njeriu në ngritjen e tij ndërkombëtare, natyrisht që ka të bëjë me emrin e Marti Ahtisaari. Krijimi i kësaj lidhje e veçantë është roli i tij si ndërmjetës ndërkombëtar, për t’i dhënë fund luftës në Kosovë”, tha ai.

Marti Ahtisaari, përmes një video-incizimi, i përshëndeti të pranishmit në këtë seminar, duke thënë se Kosova ka bërë përparime, por ka një rrugë të gjatë përpara. Ai porositi politikanët kosovarë, të cilëve u tha se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë pa humbur kohë dhe se ai nuk duhet shpërfillur. Ndërsa tha se vijat kufitare nuk janë fare me rëndësi në raport me sundimin e ligjit.

“Kanë kaluar 10 vjet që kur kam prezantuar propozimin gjithëpërfshirës, për zgjidhjen e statusit të Kosovës, i cili ka bërë një rrugëtim mjaftë të gjatë dhe Kosova është në rrugën e integrimit evropian. E përgëzoj Kosovën për lidhjen e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimin me BE-në, por rruga para juve është mjaftë e gjatë. Dhe këtu duhet një lidership i urtë dhe me vendosmëri, që t’i garantojë qytetarëve të Kosovës, posaçërisht të rinjve, një të ardhme të ndritur. Theksoj rëndësinë e dialogut dhe marrëdhëniet e mira me fqinjët dhe sundimin e ligjit si dhe rëndësia e tij për një shoqëri multi-etnike. Kushtetuta e Kosovën ngërthen parimin e barazisë dhe shoqërinë multi-etnike dhe kjo e drejtë duhet të garantohet në praktikë dhe në sundimin e ligjit. Vijat kufitare nuk janë fare me rëndësi, në raport me sundimin e ligjit. Dialogu me vendet fqinje është e vetmja mënyrë për të shkuar përpara. Nuk duhet të humbasim kohë dhe dialogu nuk duhet të shpërfillet. Mos humbisni kohë por vazhdoni dialogun”, tha ai.