Arbëri

Turizmi i sporteve të ujit ngjitet edhe në rrjedhën e Fanit në Mirditë

Dy lumenjtë kryesor të Mirditës janë Fani i Madh dhe Fani i Vogël, të cilët ushqehen nga përrenj të shumtë me aftësi të mëdha prurëse.

Fani i Madh buron nga Qafa e Malit dhe merr me vete përrenjtë e Kryeziut, Micojt, Shpërdhazës, Dibrrit nga e djathta, ndërsa nga e majta përroin e Lumit të Zi dhe atë të Kalivares. Fani i Vogël, që i ka dhënë edhe emrin krahinës ku buron, fillon nga Qafa e Kumbullës, në faqet e lartësive të Runës dhe merr me vete përrenj të shumtë.

Image

Në Thirrë ai bashkohet me përroin e Ukës, pastaj me përroin e Hebes, ndërsa poshtë urës së Sangut me përroin e Lashtës.

Në Gjagëz bashkohet me përroin e Domgjonit, pastaj me atë të Qershisë që rrjedh nga Petoqi dhe përroin e Flyrës.

Më poshtë takohet me përroin e Knellës, i cili buron nga Gurra e Shëngjinit dhe në vazhdim me përroin e Bisakut, Gjurrën e Bargjanës dhe përroin e Shtungajt që rrjedh nga zabelet e Spaçit.

Pastaj lumi Fan kalon nëpër Orosh, ku mbledh disa përrenj: të Lgjinit, Darzës, Oroshit, Spaçit dhe përoin e Madh, ndërsa në rrjedhën e poshtëme bashkohet me Zmenë e Madhe dhe Zmenë e Vogël.

Rrjedha e Fanit të Vogël, së fundmi, po shfrytëzohet për sportet e kanotazhit nga amatorët sportivë të ujit. Kjo fundjavë tërhoqi mjaft kajakistë që me mjetet e tyre të notimit u ngjitën drejt rrjedhës së Lumit Fan i Vogël. Kjo rrjedhë është e shpejtë me kanione të thella dhe të jep mundësi për një aventurë sportive ujore.

Por, dita e sotme, 26 prilli, shënon një ditë të veçantë në historinë e Mirditës dhe të kombit. Më 26 prill 1911, ditën e Shën Markut, te kisha e Fanit u mblodhën krerët e Veriut: Shalës, Shoshit, Merturit, Nikajt, Toplanës, Thethit, Berishës, Dukagjinit, Shkodrës, të gjithë krerët e Mirditës, krerët myslimanë të Matit e të Dibrës, në një lidhje bese për bashkim.

Mbledhjen e drejtoi arbëreshi Torenc Toçi, i cili kishte marrë me vete edhe flamurin kombëtar shqiptar. Dokumentin themelues e firmosën krerët e bajraqeve të krahinave nga vinin.

Nuk pati dallim mes myslimanësh e të krishterësh.

Në Kuvend vendoset një program veprimi për të luftuar për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë. Nënvizohet fakti se muslimanët e Matit dhe të Dibrës pranojnë të lidhen me të krishterët dhe për këtë betohen në Kuran.

Pjesëmarrësit e Kuvendit marrin zemër kur u njoftuan se me ta u bashkuan edhe krerët e Kosovës, Bajram Curri e Isa Boletini. Kuvendi u mbyll me thirrjen: “Të lidhim një besë me luftue të gjithë deri në atë ditë që të jetë e çlirume Shqipnia”.

Sot kjo krahinë, nuk mbart vetëm vlera historike e kulturore por edhe turistike. Udhëtimi drejt Mirditës dhe rrjedhës së Fanit, është një aventurë e bukur natyrore dhe sportive.

Image