Arbëri

Limaj uron Pavarësinë, falënderon edhe ndërkombëtarët

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka uruar qytetarët e Kosovës në 11-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Limaj ka thënë se Pavarësia e Kosovës është kurorëzim e përpjekjeve dhe përkushtimit të gjeneratave të tëra të popullit të Kosovës.

Ai përmes një shkrimi të publikuar në faqen e Nismës në ‘Facebook’, ka thënë se Kosova tanimë po hyn në dekadën e dytë të shtetësisë dhe së 11 vjetori i Pavarësisë e gjen vendin me ushtri.

Postimi i plotë i Limajt:

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, Sot bëhen 11 vjet nga shpallja e Pavarësie së Kosovës. Pavarësia e Kosovës është kurorëzim e përpjekjeve dhe përkushtimit të gjeneratave të tëra të popullit të Kosovës.

Në këtë ditë të shënuar kujtojmë mundin e sakrificën e njerëzve të këtij vendi, të cilët me dekada e shekuj janë përpjekur për ta realizuar këtë ëndërr. Gjenerata jonë jemi me fat që jemi dëshmitarë të një akti të madh siç është shpallja e pavarësisë. Pjesë e shënimit të atij momenti historik ka qenë secili qytetar i vendit. Kosova tanimë po hyn në dekadën e dytë të shtetësisë. 11-vjetori i Pavarësisë e gjen vendin me Ushtri.

Në këto 11 vite kemi arritur suksese të mëdha, por jemi përballur edhe me shumë sfida të cilat i kemi kaluar bashkërisht me miqtë tanë ndërkombëtarë në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova do t’u jetë përherë falënderuese shteteve tona mik e të cilat na ndihmuan në rrugëtimin drejt pavarësisë. Të gjithë qytetarëve të Kosovës, urimet më të mira në 11-vjetorin e pavarësisë së Kosovës