Arbëri

Kroacia, e gatshme të ndihmojë Kosovën paskajshëm

Descriptive Text

Në vazhdën e aktiviteteve nga vizita zyrtare në Kuvendin e Kroacisë , delegacioni i Komisionit për Punë të Jashtme, u takua edhe me udhëheqësin e Delegacionit të Kroacisë në SEECP, Predrag Matiq.

Në ketë takim, delegacionet këmbyen mendimet rreth bashkëpunimit për SEECP, veçanërisht për kërkesën e Kosovës për të kryesuar SEECP. Delegacioni i Kosovës shfaqi mirënjohjen për kontributin e delegacionit të Kroacisë dhënë Kosovës me rastin e përcaktimit të kryesimit nga ana e Kosovës të Komisionit për Ekonomi, Energjetikë e Tregti të SEECP.

“Matiq, mes diskutimeve të tjera me delegacionin e Kosovës, deklaroi gatishmërinë e delegacionit kroat për mbështetjen e paskajshme në kërkesat e Kosovës”, thuhet në një njoftim për media të Kuvendit të Kosovës.

Gjatë ditës së dytë të vizitës, delegacioni u takua edhe me Grupin e Miqësisë Kroaci-Kosovë, të kryesuar nga Andrija Mikuliq. Delegacionet diskutuan lidhur me pozitën e komunitetit kroat në Kosovë dhe të atij shqiptar në Kroaci, me ç’rast u shpreh gatishmëria e të dy palëve për avancimin e pozitës se tyre në shoqëritë respektive.

Në takim, po ashtu u shpreh gatishmëria dhe interesimi i palëve për nismën e aktiviteteve në kuadër të grupeve të miqësisë, si dhe u iniciua mbajtja e takimit të parë midis dy grupeve.