Arbëri

“Progresi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë - Serbi i nevojshëm”

Anëtarët e Kuvendit të Kosovës dhe anëtarët e Parlamentit Evropian u takuan në Strasburg më 14 shkurt 2019 për takimin e 6-të të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë (KPSA), bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Takimi, i bashkëkryesuar nga Memli Krasniqi (PDK, Kosovë) dhe Tonino Picula (S&D, Kroaci), u shënua me diskutime gjithëpërfshirëse dhe të frytshme për një sërë çështjesh të rëndësishme, duke përfshirë zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë, procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe rëndësinë e vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gjithashtu, në takim u diskutuan edhe çështjet që kanë të bëjnë me gjendjen sociale dhe ekonomike në Kosovë, si dhe procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të rregullt.

“Bashkëkryesuesit u pajtuan se progresi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i nevojshëm, në mënyrë që palët të arrijnë një marrëveshje ligjore të detyrueshme përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Në këtë drejtim, anëtarët kishin pikëpamje të ndryshme për tarifat e vendosura nga Kosova ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës. Megjithatë, anëtarët ishin të mendimit se vazhdimi i dialogut është i nevojshëm dhe se ai kërkon përkushtimin e të dy palëve”, thuhet në komunikatë.

Sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, anëtarët e përsëriten se Kosova i ka përmbushur të gjitha obligimet e saj dhe se vendimet nga institucionet përkatëse të BE-së duhet të merren pa vonesë.

Bashkëkryesuesit i mirëpriten diskutimet e hapura për të gjitha çështjet në agjendë dhe shprehën zotimet e tyre për të vazhduar marrëdhënie shumë të mira ndërmjet të dy Parlamenteve.

U pajtua se takimi i 7-të i KPSA BE-Kosovë të mbahet në Prishtinë më 28-29 tetor 2019. ​