Arbëri

Komisioni për të Vërtetën – si të ecet më tutje! (4)

Descriptive Text

Analizë e dalë nga konsultimi publik me pensionistë të Prishtinës për idenë e themelimit të Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin në Kosovë.

U bënë dy vite prej kur presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi inicoi idenë për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin në Kosovë. Pas disa konsultimeve me akterët kyç të politikës, shoqatave të viktimave dhe personave të zhdukur, shoqërisë civile dhe komunitetit të gjerë - Presidenti i Republikës së Kosovës, në pajtim me nenin 84 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, neni 6 të Ligjit Nr. 03/L-094, si dhe në pajtim me nenin 3 (4), të Rregullores (P) Nr. 02/2016 për Strukturën Organizative të Presidencës (08.09.2016), dhe Vendimin Nr. 51/2017 nxjerr vendimin për emërimin e Ekipit përgatitor për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin (Nr. Protokolli 892-01.11.2017). Ky ekip u mandatua të përgatisë dokumentacionin përkatës për themelimin e këtij Komisioni. Duke qenë se ekipi do të duhet shumë shpejtë të del në terren për të nisur debat të hapur me publikun rreth kësaj iniciative, Integra dhe Qendra për Paqe dhe Tolerancë inicuan një gamë diskutimesh me disa grupe të interesit rreth asaj se sa do t’i kontribuoj paqes dhe stabilitetit të mëtejmë në Kosovë themelimi i Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin.

Ky konsultim me pensionistët e Kosovës për të diskutuar për iniciativën e Presidentit për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin në Kosovë filloi nga panelistët z. Kushtrim Koliqi, znj. Nora Ahmetaj dhe z. Baki Svirvca, të tre anëtarë të Grupit Përgatitor për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin. Ata shpjeguan me kujdes të veçantë dhe ofruan sqarimet e duhura në lidhje me të gjithë procesin e themelimit të këtij komisioni i cili do të punojë për përcaktimin e fakteve në lidhje me krimet e luftës, humbjet, dhe shkeljet e tjera të rënda të të drejtave të njeriut. Ata kanë zbërthyer për pensionistët e pranishëm konceptet dhe çështjet kryesore të drjetësisë tranzicionale duke e shpjeguar në kontekstin e vendit tonë dhe duke i krahasuar me rastet e vendeve të tjera, duke i’u qartësuar kështu se këto diskutime bëhen për të marrë mendimet e grupeve të ndryshme shoqërore për atë se çka do të duhet ky komision të trajtoj, cilën periudhë ta mbulojë, cilat lloje të krimeve të trajtoj, e çështje tjera.

Në këtë konsultim me pensionistët e Kosovës, çështjet të cilat u parashtruan dhe u diskutuan kishin të bëjnë me të kaluarën, të vërtetën e luftës dhe pasojat e saj si dhe për iniciativën për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin. Diskursi i cili e mbizotëroi këtë diskutim ishte ai personal meqenëse shumica e pensionistëve flitnin duke u bazuar në përvojat e tyre. Çështja e pajtimit dhe formimi i këtij komisioni shihej më shumë si obligim politik të cilin duhet të përmbushim për të vazhduar me procese tjera të integrimit të shtetit në platforma tjera ndërkombëtare sesa si një gjest (akt) të sinqertë për zbulimin e të vërtetave të luftës. Megjithkëtë ata këtë iniciativë e konsideronin si një gjë shumë të mirë dhe një mundësi për krijim të paqes.

“Mendoj se osht iniciativë e mirë edhe po du me thanë se pa marrë parasyshë ato që i kemi përjetue n’shpirt, n’gjak e n’fmi e n’familje e në të gjitha këto duhet të kqyrim kah e ardhmja, duhet të gjinden rrugë e dialogje, pa e harrue të kalumen, pa i harrue damet, pa i harrue ato, por duhet të kthehemi kah e ardhmja për nji dialog me e gjet për hirë të paqes, fmive e gjeneracioneve të reja”

“...edhe unë parimisht e përkrahi iniciativën e tillë... ky komision sa e kuptoj une, e ka ma tepër rolin e ndërgjegjësimit të masës për ato që kanë ndodh, pra, për shkaqet edhe pasojat për përmasat e krimeve të llojeve të ndryshme që kanë ndodh”

“Kjo ashtë iniciativë shumë e mirë se mundësisht krahas gjithë atyne dhimbjeve shpirtrore që i kemi me mujt gjeneratave t’reja me ju lon nji bazament ose nji sipërfaqe që ata me mujt me u pajtu...”

Më pas pensionistët filluan të propozojnë tema e çështje të cilat ky komision do të duhet t’i trajtonte. Shumicës së pensionistëve i’u interesonte fakti se si do të trajtonte ky komision çështjen e kompenzmit të pensioneve dhe të padrejtësive që i’u ka bërë pesnionistëve shteti sërb.

“Une këtu e kam kuptu ma tepër rolin e pensionistëve, edhe përmasat e padrejtësive, diskriminimit që i janë ba pensionistëve të Kosovës, numrin e tyre... Serbia duhet ndërrmerr masa edhe veprime e procedura për t’ua kompenzu, për t’a ndreç atë padrejtësi atyre që i osht ba ajo e padrejtë edhe ky komision po shpresoj që mundet me punu për ket punë”

Duke folur për padrjetesitë që i janë bërë shqiptarëve nga Serbia një nga pensionistët përmendi edhe çështjen e  largimeve nga puna të më shumë se 150 mijë punëtorëve shqiptarë prej vitit 1999, çështje kjo që konsiderohej shumë e rëndësishme për të cilin ata kërkonin që ky komision të ngritë këtë çështje që të paktën të zbulohet dhe dokumentohet ajo që ka ndodhur.

“Unë do të dalë në aspektin tjetër, janë rreth 150 mijë punëtorë shqiptarë të përjashtuar prej pune prej vitit 1999. Ata po ashtu janë përjashtue në baza nacionale në bazë të diskriminimit, në baza nacionale edhe në baza politike... dhe plot e plot padrejtësi tjera që na janë ba dhe kisha pasë qef që ky komision me u marrë edhe këtë çështje që t’paktën le të dalë e vërteta në shesh”.

Kur u pyetën për kohështrirjen e ngjarjeve që ky komision do të duhej  t’i trajtonte kishte dy propozime më të shpeshta që pensionistët i bënin. Duke mos harruar për të përmendur faktin që sipas tyre Serbia ndër shekuj kishte punuar kundër shqiptarëve megjithatë ata konsideronin që ky komision të trajtoj ngjarjet në lidhje me luftën, faktet dhe dëshmitë për periudhën prej viteteve të 80’-ta e këndej.

“Ky komisioni i themelum po me marr vetëm kto çka kanë ndodhë n’luftën tash në ketë periudhën prej 81’ e mrapa”

“Po prej 81’shit ka fillu masanej me u ndërmarrë me masa të ndryshme me... represive, largimi prej pune, heqja e atuonomisë e shumë gjana tjera kështuqi po thom me e kufizu ju vetëm n’ketë periudhë...”

Në pyetjen se kush do të duhet të ishte anëtar i një komisioni të tillë pra se cila do të duhej të ishte përbërja e komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin shumë prej pensionistëve ishin të mendimit që politikanët nuk do të duhej të ndërhynin në këtë komision. Ata gjithashtu shpreheshin të zhgënjyer nga politikanët që nuk kanë bërë agjë në lidhje me këto çështje. Sipas tyre anëtarë të këtij komision do të duhej të jenë njerëz me integritet të lartë e ndikim të madh në shoqëri, njerëz akademikë, shkencëtarë e profesorë, njerëz me përvojë e reputacion të mirë në shoqëri.

“Unë uroj që të ngritet komisioni me njerëz me integritet edhe të punoj palodhshëm në mënyrë që duke filluar prej shpërnguljes së parë, gjenocidin e parë që e ka bo Serbia 1878 e deri më sot të hulumtoj këto ngjarje. Mendoj çka duhet së pari Serbia me ba, me kërkue falje publikisht, kur kërkon falje publikisht atëhere hyn në normat ndërkombëtare, konventat edhe duhet me u përgjigj për t’këqijat, gjenocidet që i ka bo në vazhdimësi. Ky komision që do të ngritet duhet t’a ketë përkrahjen e madhe nga shteti i Kosovës.... shumëçka qeveritë e deritashme nuk kanë arrit me ba për popullin e vet, na vjen keq por kjo osht e vërteta se nuk po punojnë për popull po, po punojnë për veti, kjo osht diçka, për këtë situatë që osht populli i Kosovës e pakuptimtë, e pakuptimtë osht, mendoj që pensionistët dhe të gjitha grupet kanë çka thojnë, kanë çka thojnë të vërtetën, vuajtjet tona, largimet nga puna, djegia e shtëpive, e tjera e tjera...”

Sipas një pensionisti do të ishte mirë që në komision të ketë njerëz nga profesione të ndryshme. “...mirë ashtë që ky komision t’bahet prej njerëzve profesional, t’kemi historianë t’mirë, t’kemi ekonomistë t’mirë, juristë t’mirë të gjitha profilet t’i zgjedhim edhe t’ecim përpara....” Përderisa për një tjetër... “paqja arrihet me akademikë, me njerëz që thojmë ne t’përvojës, me njerëz t’luftës, me gjeneralë, me akademikë, me profesorë, me shkenctarë me ata arrihet paqja e ata duhen me kanë pjesë të këtij farë komisioni”.

Për shumë nga pensionistët ishte e rëndësishme pavarësia e këtij komisioni në mënyrë që puna e tij të jetë e pastër dhe të dalë me të dhëna të sakta.

“unë ju kisha lutë që ky komision të punojë pa e majt anën kërkuj, po të jetë nji komision i pamvarun që me të vërtetë të gjithë ata të cilët kanë dhanë sakrificë edhe sakrifikohen, jonë sakrifiku të kanë vendin e meritum...”

Një sugjerim tjetër nga penionistët ishte që ky komision të del me dëshmi jo vetëm për numrat e viktimave dhe humbjeve në njerëz, vrasjeve, shkatërrimeve, dhunimeve por edhe të dëmeve tjera si largimet nga puna, djegjet e shtëpive, humbjet në ekonomi jo vetëm të shtetit por edhe ekonomi familjare.

“Përveç shkatrrimit në popullatë ka bo edhe shkatërrimin ekonomik ku janë dikun 700 e sa mijë shpija t’djeguna, ajo ashtë ekonomi familjare që nuk bahet për nji ditë plus ekonomia tjetër... e ish kanë mirë edhe kto gjana me i folë”

Kur diskutohej për pajtim me palën sërbe pensionistët nuk ishin mjaft optimist dhe pro një pajtimi të tillë por thonin që e kuptojnë që për një të ardhme më të mirë e më të sigurtë për gjeneratat e ardhshme pajtimi është i domosdoshëm. Megjithkëtë ata konsideronin se po pretendohet të ketë një lloj barazimi në mes të dy palëve kështuqë kërkonin që edhe ky komision të bëjë të qartë se kush është viktima e kush agresori, në këtë kontekst kërkim-falja nga Serbia konsiderohej e domosdoshme.

“Serbia ka arritë gjithmonë edhe tash n’kta t’fundit ka arritë që shqiptarët me i kualifiku agresorë edhe kriminelë ndërsa veten me e kualifiku viktimë... e ta bajmë t’ditun se kush çka ashtë kanë...”

Pajtimi do të bëhet vetëm kur të dy palët të pranojnë fajin dhe përgjegjësinë e vetë sipas një pensionisti ... “si do të bahet tash pajtimi, do të bahet pajtimi vetëm kur të dy palët i pranojnë fajet e veta”. Ndërsa për disa të tjerë pajtimi do të mund të ndodh vetëm me disa kushte që fillonin nga kërkim-falja prej anës sërbe e deri tek trajtimi i shumë çështjeve tjera të diskutuara me lartë që ndikonin direkt në jetën e tyre.

Përderisa për disa pajtimi ishte i detyrueshëm për një të ardhme pa konflikte, kishte edhe të atillë që ishin kategorikisht kundër një pajtimi me palën sërbe.

“Ka shumë me fol, për 20 vjet mundemi që thojnë me fol e me fol na, falje nuk ka, kthim mbrapa nuk ka... me ata diskutim s’ka, pajtime nuk ka..”

Nga diskutimi dhe ndarja e përvojave të shumta të pensionistëve u kuptua që e vërteta është subjektive dhe se e njëjta e vërtetë mund të kuptohet ndryshe varësisht prej përvojave dhe tregimeve të luftës, ajo çka mbizotëroi në këtë takim ishte fakti që shumë prej pensionistëve konsideronin që nuk mund të ketë paqe dhe pajtim pa zgjidhjen e çështjeve të diskutuara e përmendura më lartë, megjithkëtë ata tregoheshin të gatshëm për pajtim për hirë të një të ardhme të sigurtë për gjeneratat e reja.

Ky diskutim dëshmoi se informatat rreth punës së Ekipit Përgatitor për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin mungojnë mirëpo konsultimet publike me publikun rreth themelimit të këtij komisioni u konsideruan të mirëseardhura nga ana e pensionistëve.

Fuqizuar nga Integra, CPT, PAX dhe RBF.

Ky projekt u financua përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.