Arbëri

Komisioni për të Vërtetën – si të ecet më tutje! (1)

Descriptive Text

Analizë e dalë nga fokus grupi me studentë të fushës së Shkencave Politike, Juridik, Historisë dhe Sociologjisë, për idenë e themelimit të Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin në Kosovë.

U bënë dy vite prej kur presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi inicoi idenë për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin në Kosovë. Pas disa konsultimeve me akterët kyq të politikës, shoqatave të viktimave dhe personave të zhdukur, shoqërisë civile dhe komunitetit të gjerë - Presidenti i Republikës së Kosovës, në pajtim me nenin 84 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, neni 6 të Ligjit Nr. 03/L-094, si dhe në pajtim me nenin 3 (4), të Rregullores (P) Nr. 02/2016 për Strukturën Organizative të Presidencës (08.09.2016), dhe Vendimin Nr. 51/2017 nxjerr vendimin për emërimin e Ekipit përgatitor për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin (Nr. Protokolli 892-01.11.2017). Ky ekip u mandatua të përgatisë dokumentacionin përkatës për themelimin e këtij Komisioni. Duke qenë se ekipi do të duhet shumë shpejtë të del në terren për të nisur debat të hapur me publikun rreth kësaj iniciative, Integra dhe Qendra për Paqe dhe Tolerancë inicuan një gamë diskutimesh me disa grupe të interesit rreth asaj se sa do t’i kontribuoj paqes dhe stabilitetit të mëtejmë në Kosovë themelimi i Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin.

Pyetjet që u parashtruan në fokus grupin e parë me studentët e fakulteteve të shkencave politike, juridikut, atij të historisë dhe sociologjisë kishin të bëjnë me konceptin e të vërtetës, cila është e vërteta që e dijmë për luftën dhe çfarë të vërtete tjetër do mund të na plasonte një Komision tjetër i pavarur i cili do të merrej kryesisht me të kaluarën e hidhur mes dy popujve.

Politikologët dhë historianët nuk e shihnin njëjtë të vërtetën. Deri sa për të parët koncepti i të vërtetës kuptohej më shumë si “koncept gjuhësor i cili është i ndryshuar për shkak të interpretimeve dhe intervnenimeve të pafundme politike e religjioze”, për të dytët

“E vërteta është ajo e cila bazohet në fakte dhe dokumente për një ngjarje të caktuar si dhe baza arkivore e mbledhur, pra ngjarje të dokumentuara.”

Ndërkohë që për konceptin e pajtimit në kontekstin shqiptaro-serb, mendimet ishin më të përafërta. Pajtimi shihej në dy nivele, atë individual dhe kolektiv. Por për t’u arritë pajtimi, sipas studentëve duhet që të pranohet e kaluara që ka ndodhur. Në anën tjetër, kishte edhe zëra rreth asaj se do duhej të qartësohej paraprakisht se kush ishte shkaktari dhe kush viktima, e më pas të diskutohet për pajtimin. Dy tema dominuan diskursin e diskutimit, kërkim falja dhe kompensimi i dëmeve të luftës si kusht për t’u pajtuar.

Iniciativa e Presidentit për formimin e një Komisioni për kërkimin e të Vërtetës dhe Pajtimin koniderohet si e duhur sipas diskutuesve. Dy nga të pranishmit insistonin se e ardhmja e dy vendeve në gjirin e BE-së do të ndihmonte palët të linin anash të kaluarën dhe të mendonin për të ardhmen e brezave të rinj.

“Për t‘u arritur pajtimi rruga duhet të jetë e përbashkët, nëse i shohim shqiptarët dhe serbët e shohim që rrugë të përbashkët mund ta kenë Bashkimin Evropian, kjo i ndihmon ta lënë të kaluarën dhe t‘i pranojnë ato që i cekëm. Pajtimi na nevojitet për arsye që këto gjëra të evitohen dhe të mos përsëriten.”

Zgjidhja e çështjes së të pagjeturve gjithashtu zuri vend në diskutimin me studentët si çështje pezull që rëndonte në mes dy palëve në negociata.

“Ne e kemi një të vërtetë, pala serbe e ka një të vërtetë tjetër. Si ta bindim ne njëra-tjetrën se cila e vërtetë është më bindëse, si të konfrontohemi me atë të vërtetë që e kemi, si ta bindim palën tjetër që ne e kemi mirë, dhe se ne jemi të vetmit viktima?”

Argument shumë i fuqishëm sipas një diskutuesi ishte vetë ndërhyrja e NATO-s.

Ajo që nxiti më shumë debatin në grup ishte numri i të vrarëve civilë dhe të zhdukurve serbë gjatë luftës 1998-99 në Kosovë, si dhe trajtimi i kësaj çështjeje nga burime të shumta të informacionit.

“Në momentin që e kemi një numër të viktimave nga të dyja palët, duhet ta dijmë se nga ka ardhur ky informacion...”

Vetëm tre nga të pranishmit e dinin që ka pasur humbje në njerëz edhe nga pala serbe, dhe nuk ishin të paktë studentët të cilët kërkonin drejtësi edhe për të vrarët dhe zhdukurit serbë duke theksuar aspektin human para përkatësisë etnike.

“Nëse kërkojmë drejtësi, duhet të kërkojmë drejtësi për të gjithë, qofshin viktimat serbë apo shqiptare. Ata të cilët kanë qenë banorë të Kosovës pa marrë parasyshë serbë, romë apo boshnjakë, për ata duhet të kërkohet drejtësi. Ne nuk duam të ndërtojmë një vend i cili është vetëm i shqiptarëve, pra një vend nacionalist.”

“Normalisht që ka pasur humbje edhe nga pala serbe në Kosovë dhe normalisht si shoqëri duhet të mbajmë një dozë të fajit. Dhe drejtësi duhet të ketë për të gjithë sepse po flasim për jetë të njerëzve. Duhet të respektohet aspekti human pa marrë parasyshë etninë.”

“Po ndërlidhem se ndiej keqardhje për ata që nuk jetojnë në mesin tonë, pa marrë parasyshë cilit komunitet i takojnë, por mendoj se duhet të mbahet një hetim i pavarur sa i përket numrit të tyre dhe themelimi i një komisioni të së vërtetës duket i qëlluar”.

Studentët kishin njohuri të pakta se si do të zhvillonte punën Komisioni për Paqe dhe Pajtim nëse do të themelohej, por ata besonin se ky komision do duhej të jetë i pavarur dhe apolitik. Ata  ishin të informuar se Presidenti kishte iniciuar themelimin e KVP, por jo edhe për qëllimin e këtij Komisioni. Disa nga diskutuesit shtjelluan nevojën e një debati mbarëkombëtarë rreth asaj se a do të jetë apo jo i nevojshëm themelimi i këtij Komisioni.

“Si qytetar mendoj se për të pasur sukses kjo iniciativë, nuk duhet të politizohet. Politika po e mban nën tension Ballkanin. Ky komision duhet të jetë sa ma larg politikës, sepse në Ballkan çdo proces po shfrytëzohet për interesa të politikës.”

Ndërkohë që një pjesëmarrës tjetër që ishte fëmijë i një prindi të vrarë më 1999, e argumentonte të kundërtën, duke thënë se pikërisht politikanët janë ata që kanë legjitimitetin të bëjnë marrëveshje që dërgojnë drejtë pajtimit.

“Unë prindin e kam të vrarë në luftë. Së pari pajtimin nuk e kisha lënë në dorë të shoqërisë civile, sepse nuk është punë e shoqërisë civile kjo, përkundrazi është çështje e politikës. Përderisa vendosja e raporteve normale është çështje dhe detyrë e politikës, pse të merret shoqëria civile me çështjen e pajtimit.“

Në pyetjen se a është Presidenti Thaçi lideri që do mund t‘i pajtojë serbët e shqiptarët, për disa ai ishte i pranueshëm dhe për disa të tjerë jo. Njëri nga pjesëmarrësit vuri në pikëpyetje faktin nëse Presidenit Thaçi do të ishte i pranueshëm për Serbët.

”Thaçi mund të jetë i pranueshëm për ne, por a është për serbët, sepse ai është pjesë e luftës dhe për ata është problem që dikush që ka qenë pjesë e luftës t‘i inicojë këto raste. Mendoj që duhet të jetë një lider tjetër që është i pranueshëm edhe te popullata serbe në Kosovë, i cili mund t‘i inicojë këto raste.“

Të pranishmit kishin mungesë të informatave për punën e Komisionit dhe mandati e tij, dhe shih për këtë mendonin së është presidenti ai i cili do të negocionte në krye të këtij Komisioni. Kjo edhe njëherë e shtron çështjen e nevojës së mbajtjes së konsultimeve publike për të sqaruar dhe kërkuar mendim nga qytetarët për themelimin e këtij Komisioni.

“Presidenti Thaçi është personi i duhur për këtë proces për arsye se ai ka qenë pjesëmarrës në shumë procese të rëndësishme për Kosovën dhe në këtë mënyrë ai mund të krijojë marrëdhënie që janë në favor për të dy vendet.”

“Nuk do e lidhja procesin e pajtimit me vetëm një figurë, unë mendoj se duhet të formohet një komision që do të ketë ekspertë të fushave juridike, historianë, psikologë, sociologë dhe nga shoqëria civile, dikush që e përfaqëson interesin e viktimave, dhe me këtë t’i jepet legjitimitet politik atyre që shkojnë të bisedojnë.”

Në anën tjetër, studentët besonin se nuk do të kishte pajtim dhe paqe të qëndrueshme nëse serbët dhe komnitetet tjera në Kosovë nuk përfshihen në këtë iniciativë.

“Do të ishte mirë edhe pakicat të përfshihen, pra komunitetet tjera që jetojnë në Kosovë dhe ekspertë të fushave të ndryshme, historianë etj. Një student i hisorisë propozoi që të mos anashkalohen as njerëzit si Natasha Kandiq.

“Po besoj Natasha Kandiq duhet të jetë pjesë e këtyre kimisioneve pasiqë ajo është një zë brenda Serbisë që i ka dokumentuar krimet e luftës në Kosovë.”

Gjithashtu, studentët potencuan faktin që antarë të Komisionit do të duhej të jenë edhe familjarët e viktimave civile dhe të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë.

“Unë mendoj se duhet të përfshihen edhe përfaqësuesit e opozitës, familjarë të të pagjeturve, gjithë akterët tjerë që mund të japin kontribut.”

Por pyetja se çka e motivoi Presidentin të inicojë themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin intrigoi studentët. Përgjigjet varionin nga ajo se presidenti po mundohet të arrijë një marrëveshje më Serbinë, dhe se ky Komision do t‘i paraprijë marrëveshjes në mënyrë që të arrihet më lehtë deri tek pajtimi. Por kishte edhe mendime si:

“Ai e ka bërë për të fituar poena politike nga ndërkombëtarët“ për shkak të influencës dhe politikave ndërkombëtare të BE-së dhe për ruajtjen e interesave gjeo-strategjike në regjion.“

Apo një mendim si ky: “Unë mendoj se është për shkak të influencës dhe politikave ndërkombëtare të BE-së dhe për ruajtjen e interesave gjeo-strategjike në regjion po inicohet ky komision, duke mos konsidreuar faktin që ndoshta për popullatën është ende herët”

Studentët nuk anashkaluan faktin që të gjeturat e një Komisioni të tillë nëse do të formohet do të provokonin tundime rreth humbjeve në njerëz dhe të vërtetës për luftën e fundit në Kosovë që do të plasohej, e që ka mundësi të jetë ndryshe nga e vërteta që e njohim tash e dy dekada.

“Nëse del se nga shqiptarët, qofshin ata civilë apo ushtarë ka pasur krime ndaj komuniteteve tjera, atëherë normal që kjo nuk do të ishte e mirë për imazhin e shtetit tonë sepse çdo jetë e humbur është në dëm të kësaj shoqërie.”

Edhe studentët e potencuan nevojën e organizimit të debateve publike rreth themelimit të këtij komisioni dhe rekomanduan që të merreshin parasyshë edhe sygjerimet e qytetarëve.

“Para krijimit të komisionit, besoj se duhet të bëhet debat publik dhe të informohen qytetarët. Jam i bindur se shumica e qytetarëve nuk janë në dijeni se do të formohet një komision i tillë. Të bëhet një debat publik dhe të dihet kush janë komisionerët në mënyrë që të përgatitet masa.”

Diskutimi në grup përfundoi me konkludimin se të gjeturat e hulumtimit të Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin duhet të merren parasyshë nga qeveritë pasardhëse, sado të pakëndshme të dalin ato të dhëna nga hulumtimet.

“Përderisa ne i japim legjitimitetin atij komisioni i cili do të jetë apolitik dhe i pavarur, dhe i cili do të bëjë dokumentimin dhe nxerrjet e nevojshme, duhet të jemi racional dhe të pranojmë çfarëdo raporti që nxjerr ai komision si legjitim, sado që të jetë e dhimbshme dhe jo e njëjtë me bindjet e mëparshme. Duhet ta pranojmë.“  

Ky fokus grup dëshmoi se informatat rreth punës së Ekipit Përgatitor për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin mungojnë dhe se duhet që sa më parë ky ekip të krijojë një platformë për konsultime publike me publikun rreth themelimit të këtij komisioni.

Fuqizuar nga Integra, CPT, PAX dhe RBF.

Ky projekt u financua përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë. Mendimet, përfundimet dhe konkludimet apo rekomandimet e shprehura këtu janë të Autorit(ëve) dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.