Arbëri

Tri sindikata “kërcënojnë” Presidentin me rikthim në Kuvend të Ligjit për paga

Descriptive Text

Përfaqësues të sindikatave të tri ndërmarrjeve publike, KEK, PTK dhe KOSTT, kanë kërkuar nga Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, që ta rikthejë në Kuvend Ligjin për paga.

Nëpërmjet një letre të përbashkët, ata kanë kërcënuar se në të kundërtën janë të detyruar të protestojnë e të mbajnë greva.

Përfaqësuesit e këtyre tri sindikatave konsiderojnë se u është bërë e padrejtë këtyre ndërmarrjeve kur janë futur në Ligjin për paga.

“Sindikatat e tri ndërmarrjeve publike, Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK sh.a.), Telekomit të Kosovës (TK sh.a.) dhe Operatori i Sistemit, Transmisioni dhe Tregu (KOSTT sh.a.) jemi thellësisht të pakënaqur me trajtimin e këtyre ndërmarrjeve që u është bërë me Ligjin për paga të votuar në Kuvendin e Kosovës më datën 02 shkurt 2019”, thuhet në letrën e përbashkët të këtyre tri sindikatave, raporton “Koha Ditore”.

Sipas të njëjtës, në amandamentin nr. 46 të Ligjit për paga, këtyre ndërmarrje, siç thuhet në letër, vetëfinancuese dhe kontributdhënës për Buxhetin e Kosovës, u janë caktuar kufijtë minimal dhe maksimal në të ardhurat e punëtorëve (me koeficient sipas tabelës në ligj).

“Konsiderojmë që këto ndërmarrje kanë qenë dhe janë shtyllat kryesore të shtetit, pra Energjia dhe Telekomunikacioni. Për funksionimin normal të këtyre ndërmarrjeve nevojiten ekspertë të fushave të caktuara, të cilët i kemi momentalisht dhe ne operojmë, zhvillohemi nga profesionalizmi i punës së këtyre ekspertëve të lëmive të ndryshme (inxhinierët, juristët, ekonomistët dhe teknikët)”, thuhet në letrën e nënshkruar nga tre përfaqësuesit sindikal Nexhat Llumnica (KEK), Lamih Balaj (FSP-PTK) dhe Adem Gashi (KOSTT).

“Duke pas parasysh që ne në Ligjin e pagave jemi kategorizuar gabimisht ose qëllimisht nga Komisioni parlamentar dhe nuk jemi konsultuar asnjëherë nga ky Komision, dyshojmë që kategorizimi i këtyre ndërmarrjeve vetëfinancuese dhe prodhuese është bërë për dëmtimin e prodhimit të këtyre ndërmarrjeve”.

Përfaqësuesit sindikalë kanë thënë se në rast të nënshkrimit të këtij Ligji nga ana e Presidentit, pasojat mund të jenë të pariparueshme.

“Kërkojmë që t’i ushtroni kompetencat tuaja kushtetuese, për kthimin e këtij Ligji për rishqyrtim në Kuvendin e Kosovës. Nëse ky ligj si i tillë dhe joprofesional nënshkruhet nga ana juaj, atëherë pasojat mund të jenë të pariparueshme dhe ne si sindikata së bashku jemi të detyruar të përdorim të gjitha mjetet sipas Ligjit për organizimin sindikal, duke filluar nga protestat, grevat, etj”, përfundon letra.

Image