Arbëri

Në samitin e NATO-s, Stoltenberg shpreh dy shqetësime për Kosovën e SHBA-ja thotë se përkrah FSK-në

Dy zhgënjime në raport me Kosovën, i ka shprehur të martën në Bruksel, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Të parin, sërish me vendimin e dhjetorit për Ushtrinë e Kosovës, dhe të dytin me vendimin për taksën.

Në nisje të samitit të ministrave të mbrojtjes të 29 vendeve të Aleancës, Stoletenebrg ka thënë se takimi do të shërbejë për të parë mënyrën e angazhimit me FSK-në, porse vendimi për taksën ka zhgënjyer shumë aleatë, raporton KTV.

“Ajo që do të vlerësojmë janë janë aktivitetet që janë jashtë misionit të KFOR’it e që është ndërtimi i kapaciteteve. S’kemi marrë vendim por kemi bërë të qartë se ne do të vlerësojmë nivelin e angazhimit të NATO’s, sepse disa aleatë kanë thënë se është kohë e papërshtatshme vendimi që FSK të transformohet në ushtri dhe disa aleate janë të zhgënjyer edhe me taksën”, ka thënë Stoltenebrg.

Ajo që nuk do të ndryshojë, sipas shefit të NATO-s, është misioni i KFOR-it, sipas rezolutës së OKB-së e që është të ofrojë siguri për gjithë qytetarët në gjithë vendin, të cilën gjë nuk mund ta bëjnë forcat lokale të sigurisë pa leje.

“Ne e kemi thënë qartë se forcat e sigurisë në Kosovë duhet të respektojnë obligimet ndërkombëtare përfshirë marrëveshjet në Bruksel se nuk do të lëvizin për në veri të Kosovës, pa lejen dhe pajtimin e Komandantit të KFOR’;it. Natyrisht se çështjet do të jenë në tavolinë për diskutim, por është herët të themi saktë se çfarë vendime do të merren”, ka thënë Stoltenberg.

SHBA-ja, si financuesi kryesor i NATO-s nuk e ndanë mendimin me Stoltenbergun për ushtrinë. Ambasadorja amerikane, Kay Baily Hutchison ka thënë se NATO-ja do ta përkrahë zhvillimin e ushtrisë së Kosovës, dhe se kjo nuk lidhet me një çështje bilaterale siç është taksa.

“Nuk di lidhur me taksën mes Kosovës e Serbisë, janë çështje bilaterale por sa i përket forcës së Kosovës së sigurisë, NATO do të vazhdojë të punojë me Qeverinë e Kosovës për të krijuar forcat e armatosura që të bëhen në atë mënyrë që të përfshijë të gjitha komunitetet dhe të sigurohet që derisa të rritet e fuqizohet të jetë edhe forcë e sigurisë së Kosovës. Por ne duam që Kosova e Serbia të punojnë bashkë në normalizimin e raporteve dhe kur ka normalizimi të raporteve shumë çështje në shtete përkatëse do të zgjidhen,. Duam të kemi të drejta të komuniteteve që do të jenë pjesë e historisë e cila do të tejkalohen e të jenë gjithëpërfshirëse në të dyja anët e kufirit”, ka thënë Hutchison.

Kosova, është temë e vogël diskutimi në raport me shumë çështje që do të jenë në tavolinë. Kryesorja është largimi i Rusisë nga marrëveshja me SHBA-në për sistemin anti-raketor.

E veçantë do të jetë edhe ulja e Maqedonisë për herë të parë në një samit të NATO-s, si anëtar në pritje, i 30 me radhë i Aleancës më të madhe ushtarake të botës.