Arbëri

Ligji i pakënaqësive - gjerësisht në numrin special të “Kohës Ditore”

Pakënaqësitë dhe reagimet që ka sjellë miratimi në Kuvend i Ligjit për pagat, janë kryetemë e së dielës në “Koha Ditore”.

Shkrimi kryesor me titull “Pagat jokushtetuese” flet për vlerësimet e juristëve se ky ligj është kundër kushtetues, si dhe për pasojat që, sipas ekonomistëve, ai i sjell buxhetit dhe ekonomisë së vendit. Aty mund të lexoni edhe për thellimin e dallimit ndërmjet sektorit publik dhe atij privat.

Te tema e javës po ashtu, gjeni shkrimin për pazarin me paga i cili mund të nxisë kontrabandën dhe informalitetin.

Në intervistën e javës, flet kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, i cili tregon se si mungesa e investimeve dhe rritja e pagave mund të çojnë shtetin në falimentim.

Në faqet e së dielës mund të lexoni edhe rrëfimin plakut 92-vjeçar nga Kaçaniku, Isuf Muhaxheri, të cilin nuk e theu vdekja e 11 fëmijëve .

“Tatuazhet në Iran, akti i heshtur i rezistencës” dhe “Pensionistët ‘kriminelë’ të Japonisë”, janë dy prej shkrimeve nga faqet e botës.

Fejton, këtë javë, sjell informacione për vështirësitë e grumbullimit të taksave në tokat shqiptare prej kohës së Perandorisë Osmane.

Në rubrikën ‘kosovarçe’ lexoni për banorët e Godancit në Drenas të cilët tregojnë se si para luftës fshati ka pasur mbi 500 banorë, ndërsa tash numri i tyre është përgjysmuar.

Rubrika e kulturës sjell artistin Zamir Mati, veprat e të cilit janë shumë të lidhura me figurat kombëtare të shqiptarëve.

Në monument mund të lexoni për Naser Fejzën dhe pasionin e tij për këpucëtarinë të fituar nga më të moshuarit.

Në mesin e shumë shkrimeve interesante nga sporti veçohet ai për Oso Gjinovcin i cili dikur ishte ciceron në shpellë, ndërsa tani gëzon formë të mirë si lojtar i futsallit.

Këto dhe shkrime të tjera interesante nga kinematografia, shkenca, teknologjia, moda e shumëçka tjetër, mund t’i lexoni në mbi 80 faqet e numrit të së dielës në “Koha Ditore”.