Arbëri

Dhunimi i të miturës në Drenas - mësuesit 1 muaj paraburgim e mjekut arrest shtëpiak

1 muaj paraburgim ka caktuar Gjykata Themelore në Prishtinë për arsimtarin SH.Xh që dyshohet se e dhunoi të miturën në Drenas.

Ndërkohë, Gjykata e ka lënë në arrest shtëpiak, mjekun tek i cili e mitura kishte abortuar fetusin në javën e 10-të të shtatzënisë, raporton KTV.

Këto vendime janë marrë, pas parashtrimit të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka thënë se ekziston dyshimi i bazuar se në liri arsimtari mund të ndikojë te dëshmitarët, andaj dërgohet në paraburgim.

Vendimi për masën ndaj mësimdhënësit është marrë mbi dyshimin se i pandehuri SH.XH ka kryer veprat penale ‘keqpërdorim seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin dhe profesionin’, si dhe veprën penale ‘nxitje e akteve seksuale me premtimin e rrejshëm për martesë’.

E Durim Osmani, avokat mbrojtës i arsimtarit, ka thënë për KTV-së do të bëjnë ankesë në Gjykatën e Apelit, sepse klienti i tij është i pafajshëm.

Më tutje, ai përmes telefonit është shprehur se edhe do të padisin mediet që publikuan fotografi të klientit të tij.

Haxhi Millaku, avokati i mjekut F.A, ka kundërshtuar masën e arrestit shtëpiak për klientin e tij, duke thënë se ai do të duhej të ishte në vendin e punës.

Po ashtu, ai ka thënë se mjeku nuk është dënuar nga ligji, por nga presioni i medieve.

Seanca në të cilën është paraqitur mësimdhënësi i cili dyshohet se ka abuzuar të miturën, është përcjellë edhe nga zyrtarë të EULEXI-it.

Për keqtrajtim seksual të së miturës po akuzohet edhe zyrtari policor V.V nga Drenasi, i cili gjendet në paraburgim.

Ai ka mohuar të gjitha akuzat ndaj tij, të cilat e ndërlidhin atë me abuzimin ndaj së miturës në Drenas.