Arbëri

Haxhiu – Mustafës: Mos u mendo por jep dorëheqje

Albulena Haxhiu, deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, tha se janë të obliguar të adresojnë çdo ditë çështjet gjinore, për secilën grua dhe vajzë që përballet me probleme të tilla.

Në fjalimin e saj në seancën e sotme të jashtëzakonshme që po mbahet për rastin e vajzës nga Drenasi, e cila dyshohet të jetë abuzuar seksualisht nga një mësues dhe një polic, Haxhiu tha se mund të ketë shumë raste të tilla të cilat nuk dihen publikisht dhe nuk do të dihen asnjëherë.

Tha se ministri i MPB-së, Ekrem Mustafa, duhet të japë dorëheqje.

Ministri Mustafa thotë se ka menduar të dorëhiqet pas rastit të vajzës në Drenas

“Ministri i Punëve të Brendshme (Ekrem Mustafa) tha që e ka menduar dorëheqjen, po mos mendo, bëje dorëheqjen, s’ki nevojë me mendu se ka ndodh një rast jashtëzakonisht i rëndë. Ne po ashtu, nuk u njoftuam pse prokurori i rastit ka mbyllur hetimet kundrejt mësuesit, ose nuk u njoftuam se para se me i mbyll hetimet a ka kryer ndonjë ekzaminim mjekësor, ose ndonjë ekzaminim të telefonit, apo mesazheve në rrjetet sociale, a ka bërë diçka prokurori i rastit kur e ka mbyllur lëndën për ngacmim seksual, e mësuesit. A e ka marrë në pyetje të dyshuarin, ose ndonjë dëshmitarë, apo vetëm e ka mbyllur rastin sepse vajza nuk ka ofruar prova. Sistemi ynë arsimor përveç që na lë të keq-arsimuar, shkollat tona janë bërë vende krimi, akuzat për ngacmim të nxënësve në shkolla po rriten e sa e sa kanë kaluar e po kalojnë në heshtje”, tha ajo, raporton kp.

Sipas Haxhiut, institucionet duhet të jenë më vigjilente.