Arbëri

Jashari: Pos abuzimeve seksuale, në shkolla ka shumë fenomene shqetësuese

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka thënë se shumë fenomene shqetësuese janë shfaqur nëpër shkollat e Kosovës së fundmi.

Duke komentuar rastin e fundit në Drenas, ku një e mitur dyshohet se është abuzuar seksualisht nga mësimdhënësi i saj dhe më pas nga një hetues policor, Jashari ka thënë se abuzimi seksual është vetëm një nga disa fenomene që kanë nisur të përhapen në vend.

Ai ka thënë se për rastin në fjalë, sipas të dhënave të para, mund të konstatohet shkelje e madhe zinxhirore. Ka treguar se një ekip i Avokatit të Popullit është duke hetuar rastin dhe sapo të kryejë hetimin do të dalë me rezultate për të treguar nëse dhe ku ka pasur shkelje.

Megjithatë, sipas tij shqetësimi më i madh është te viktima. Ai ka thënë se ndaj viktimave në raste të tilla s’ka kujdes adekuat.

Jashari ka thënë në Interaktiv të KTV-së, se Kosova mbetet shumë prapa në krahasim me vendet tjera në raport me kompensimin e viktimave të rasteve të tilla.

“Sipas informatave të para, del se ka pas shkelje të shumëfishta në këtë proces. Kundër çdo standardi etik, moral e ligjor. Një ekip i joni është duke u marrë se çfarë mund të ndihmojë tash. Bazë është gjithmonë viktima, sepse procesi i drejtësisë është i ngadalshëm. Ajo është e ngadalshme sepse padrejtësia është shumë e shpejtë. Ekipet janë në terren e të shohim rezultatet e para të tyre”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së duke shtuar se shteti duhet të marrë përsipër kujdesin ndaj rasteve të abuzimeve seksuale.

Ai më tej ka treguar se Avokati i Popullit ka kryer një hulumtim nëpër shkolla dhe ka vënë re disa fenomene shqetësuese.

“Përdorimi i dhunës, bulizmi nëpër shkolla, por shqetësuese është edhe varësia nga droga. Nga të gjitha shkollat kemi marrë konfirmim se ka përdorim të gjerë. Ka shumë ekspertiza që tregojnë se për 2 vjet kalendarike, mosha përdoruese ka rënë nga 22 në 16. Duhet të ishte alarm i madh”, ka shtuar ai duke përmendur se po mungon përcjellja nga mekanizmat shtetërorë.