Arbëri

Protestuesit presin që policët dhe mësimdhënësit t’u bashkohen në marshin për të miturën e abuzuar

Foto: Koha / ilustrim

Afrim Berisha dhe Altinë Nika, nga këshilli organizativ i protestës në Drenas, kanë thënë se presin që në protestën e së premtes për dyshimet për abuzim seksual të një të miture nga një mësimdhënës i saj dhe nga një hetues policor, t’u bashkohen në marsh edhe policët dhe mësimdhënësit tjerë.

Në Express Intervistën në KTV, ata kanë thënë se ky rast ka treguar zinxhir të paligjshmërisë në Drenas.

“Situata është tmerrësisht shqetësuese. Është grumbulluar mllef i jashtëzakonshëm te të gjithë që janë prekur nga një rast makabër si ky. Është krim zinxhiror. Ajo bashkëmoshatare e jona është dhunuar nga një njeri që është dashur të edukonte, nga dikush që është dashur të mbrohej, e pastaj s’është mbrojtur nga një njeri që është dashur ta shëronte. Është paligjshmëri zinxhirore”, ka thënë Berisha teksa ka shtuar se gjinekoloku që kishte kryer abortin, “nuk do të shpëtojë nga drejtësia, sepse ai ka kryer krim po aq të madh sa dy të tjerët”.

Në protestën që mbahet të premten, me fillim prej orës 12:00, para gjimnazit “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, Berisha dhe Nika kanë thënë se do të bëjnë presion publik e do të ngrenë vetëdijen në popull.

“Nesër do t’ua kthejmë besimin qytetarëve. Nesër mund ta pastrojnë uniformën policët, duke na u bashkuar në protestë. Neutraliteti është për frikacakët. Ose je me krimin, ose me qytetarët. Për ta pastruar uniformën e policisë, dhe e di se janë kundër krimit, pres të na bashkohen në protestë. Profesorët që e konsiderojnë të shenjtë profesionin e tyre, pres të na bashkohen. I lus prindërit, të gjithë që e kanë pa rastin, të bashkohen. Nesër do të dëshmojmë që viktimat na kanë krah. Duhet të dënohen nga institucionet, por edhe moralisht e njerëzisht sepse është krim njerëzor”, ka shtuar Berisha.

Në anën tjetër, Nika ka shtuar se nëse ky rast heshtet, atëherë përçohet mesazhi që kushdo që dëshiron të paraqesë raste të tilla do të përballet me rrezikun e njëjtë.

“Për këtë jemi të shqetësuar dhe nesër do të mblidhemi për të ngritur zërin kundër çdo rasti të tillë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, mungesa e pedagogëve dhe psikologëve në shkolla është hallkë e zinxhirit të problemit.

“Përderisa një njeri s’ka ku të ankohet, s’ka komision disiplinor që mund ta trajtojë një çështje, humb mungesa e vetëdijes për të paraqitur raste të tilla”, ka vlerësuar ajo.

Nika ka përmendur edhe kërkesat që do t’i publikojnë në protestë. Ajo ka thënë se fillimisht do të kërkojnë hetim ndaj të gjithë stacionit policor në Drenas, më pas organizim të trajnimeve për barazi gjinore në Drenas, ndërprerje të licencës për mjekun dhe mbylljen e klinikës së tij, largimin e profesorit nga shkolla dhe burgosjen e tij, dhe në fund mbikëqyrje më rigoroze nga drejtorët e shkollave të mesme.