Arbëri

Trafiku ajror i Kosovës në grevë paralajmëruese njëorëshe më 13 shkurt

Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror (SINKON) ka paralajmëruar se më datë 13.02.2019, prej orës 08:00 deri në ora 09:00, do të mbajë grevë e cila vjen pas përfshirjes së kontrollorëve ajror në Ligjin e pagave.

Kryetari i Sindikatës së Aviacionit Civil, Artan Hasani, tha se ky ligj e cenon autonominë e agjencionit, që garantohet dhe me ligjet e BE-së.

“Ne nuk financohemi nga taksat e qytetarëve, të hyrat tona që ne bazë të ligjit që është për agjencinë tonë, grumbullohen nga tarifat qe vinë nga aeroplanët ose kompanitë ajrore që operojnë në Kosovë”, i tha RTK-së kryetari i Sindikatës së Aviacionit Civil, Artan Hasani.

Hasani po ashtu tha se “nëse i shikojmë edhe ligjet e Kosovës, këto dhe marrëveshjet të cilat Kosova i ka nënshkruar në rrafshin e aviacionit civil, bien ndesh edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

Hasani beson se deputetët nuk e kanë pasur informatën që sipas ligjeve të BE-së, "sa i përket fushës së aviacionit, të gjitha shërbimet e navigimit ajror ose operatorët e shërbimit të navigimit ajror ‘OSHNA’, kanë pavarësi të plotë financiare, ata kanë me vendosë për shtrirjen e të gjitha shpenzimeve të cilat i kanë në kompani”.

Ndryshe, pas miratimit të ligjit të pagave, tek disa institucione dhe agjenci tjera të pavarura janë shfaqur pakënaqësi për këtë ligj.