Kelmendi, i gatshëm të ofrojë ndihmën e Qeverisë për bizneset prodhuese

Kelmendi, i gatshëm të ofrojë ndihmën e Qeverisë për bizneset prodhuese

25 prill 2017 14:06

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Ramiz Kelmendi, vizitoi komunën e Hanit të Elezit, ku u prit nga kryetari, Rufki Suma me bashkëpunëtorë.

Zëvendëskryeministri shprehu kënaqësinë që po viziton këtë komunë, e cila udhëhiqet nga një kryetar i pavarur.

Kelmendi tha se është biseduar për shumë çështje, por në veçanti për çështjen e pronave të APJ-së të cilat tani janë bërë prona shtetërore.

Pas takimit me kryetarin e Komunës së Hanit të Elezit, zëvendëskryeministri Kelmendi u takua edhe me përfaqësues të bizneseve të kësaj komune, me të cilët bisedoi për çështjen e furnizimit me energji elektrike, fiskalizimin e bizneseve, si dhe për Pakon Fiskale 2, e cila shumë shpejtë do të kalojë në Qeverinë e Kosovës dhe do të jetë një rilindje për bizneset në përgjithësi dhe ekonominë prodhuese në veçanti.

Ndërkaq, Suma e njoftoi Kelmendin për të gjitha punët dhe problemet me të cilat po ballafaqohet kjo komunë si dhe për aktivitetet të cilat i ka ndërmarrë kohëve të fundit. Ai falënderoi zëvendëskryeministrin për angazhimin e tij në përkrahje të bizneseve.

Gjatë kësaj vizite, zëvendëskryeministri Kelmendi vizitoi fabrikën për prodhimin e çimentos “Sharrcem” dhe fabrikën e stiroporit “KOSOVAPLAST-B”, në të cilat u njoftua nga afër me punët dhe aktivitetet që po zhvillojnë këto kompani.

Zëvendëskryeministri me këtë rast shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës që të ofrojë përkrahje për të gjitha bizneset prodhuese.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme