Arbëri

Nënshkruhet marrëveshja për hekurudhën moderne, pritet punësimi i 120 personave

Është mbajtur ceremonia e nënshkrimit të Kontratës komerciale ndërmjet INFRAKOS dhe GCF (Generale Construzioni Ferrovarie), për Rehabilitimin e linjës së 10-të hekurudhore, segmenti Fushë Kosovë - Hani i Elezit.

Me këtë rast kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se sot është një ditë feste për Kosovën.

"Sot është një ditë feste në Kosovë pasi nga sot fillojnë punimet për rehabilitimin e një segmenti të rëndësishëm që është fushë Kosovë -Hani i Elezit. Punimet zgjasin 24 muaj dhe i bie që në fillim të viti 2021 kemi hekurudha të mira. Anë e mirë e ditës së sotme është se ky është një investim i përbashkët, investon Kosova dhe BE-ja", tha ai.

Kryeministri shtoi se përgjatë kësaj kohe do të hapen edhe vende të punës.

Ndërsa u zotua se në pranverën e vitit 2021 hekurudhat do të jenë të përfunduara deri në Merdare e në Leshak, transmeton kp.

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, u shpreh se investimi në hekurudha është një lajm i mirë.

"Sot po fillon diçka e re për hekurudhën e Kosovës, do të ndodh investimi në hekurudha. Trenat do të kenë mundësi të zhvillojnë shpejtësi deri në 150 km në orë. Nga sot 210 milionë euro para të siguruara nga Qeveria e Kosovës përmes bankës për Rindërtim dhe Zhvillim. Edhe sistemi hekurudhor në Kosovë është prioritet për qeverinë dhe për MI-në", tha ai.

Kryeshefi ekzekutiv i Infrakosit, Agron Thaçi, tha se me këtë investim Kosova do të ketë një hekurudhë moderne.

"Që nga nesër do të fillojnë punimet, besoj që kemi bërë një përgatitje të mirë dhe do të kemi një linjë që do të jetë moderne dhe i bashkon të gjitha kriteret e BE-së", u shpreh ai.

Përfaqësuesi i BE-së në Prishtinë, Luigi Brusa, tha se kjo hekurudhë do të ketë ndikim pozitiv në ekonominë e Kosovës.

"Në fazën e parë ndërhyrja jonë është rreth 40 milionë euro duke përfshirë edhe fazën e projektimit. Ne jemi duke bashkuar njerëz dhe do të ketë një ndikim shumë pozitiv për Kosovën. Do të krijohen 120 vende të reja të punës. Kjo është punë e madhe dhe jam shumë i lumtur për fillimin e këtij punimi", u shpreh ai.