Arbëri

PDK-ja kërkon pezullimin e taksës për t’ia vështirësuar punët Serbisë

Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se pezullimi i taksës do ta forconte Kosovën dhe do ta vinte Serbinë në një situatë të palakmueshme para Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Duke folur për qëndrimin e partisë së tij për pezullimin e taksës 100 për qind ndaj Serbisë, Ismaili ka thënë se nëse brenda këtyre 120 ditëve Serbia nuk reflekton, atëherë pas këtyre ditëve Kosova do të vendoste reciprocitet ndaj shtetit fqinj në veri.

“Nëse në 120 ditë, këtu pajtohemi edhe me BE-në dhe SHBA-në, por dokumenti thotë se pas 120 ditëve e vendos një masë reciprociteti që çfarëdo që ka bërë Serbia ndaj Kosovës, Kosova do të veprojë njëjtë. Pas 120 ditëve ajo pengesë të largohet dhe të kthehet në kuptim të reciprocitetit. Problemin e kemi me targa dhe me vula. Të gjitha këto do të ktheheshin në formë reciprociteti”, ka thënë Ismaili.

PDK-ja insiston që taksa të mbetet, por të pezullohet me qëllim që Serbia të reflektojë ndaj kërkesave të Kosovës.

“Nëse ajo nuk reflekton, atëherë PDK-ja konsideron se përveç taksës duhet shtuar edhe masa e reciprociteti. A duhet ta përdorim taksën që ta dëmtojmë sa më shumë Serbinë, apo ta përdorim taksën ndaj Serbisë dhe të ketë efekte anësore në situatën tonë?” ka theksuar nënkryetari i PDK-së.

I pyetur nëse qëndrimi i Haradinajt për mos-heqjen e taksës është veprim anti-amerikan, Ismaili ka thënë se veprimi mund të jetë i tillë, por pozicioni i Haradinajt nuk është anti-amerikan.

“Vendimi ka qenë kundër Serbisë dhe mbetet kundër Serbisë, po ka efekt anësor. Tani kish me qenë e mençur sikur të pezullohej taksa dhe të vini Serbinë në pozitë të palakmueshme, nëse pas 120 ditësh e lëmë Serbinë pa aleat, atëherë Kosova duhet ta shfrytëzojë këto ditë që të dalim më strategjik se Serbia”, ka përsëritur Ismaili.