Arbëri

MI-ja mjaftohet me një komunikatë për humbjen e të drejtës për penallti ndaj “Bechtel & Enka-s”

Ministria e Infrastrukturës ia ka mundësuar kompanisë “Bechtel & Enka” që të mos paguajë penallti për vonesat e shkaktuara në ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup.

Sipas KDI-së, kjo ka ndodhur me nënshkrimin e një aneksi të ri të kontratës mes kësaj kompanie dhe ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, me të cilin i është zgjatur përfundimi i punimeve deri më 1 qershor 2019, raporton KTV.

Kjo organizatë joqeveritare, ka siguruar aneksin e kontratës, të nënshkruar më 5 shtator 2018.

Gjatë kësaj kohe, megjithatë Kosova do t’i paguajë 53 milionë euro në disa këste kompanisë “Bechtel &Enka”.


Sipas këtij aneksi, kjo pagesë tashmë ka filluar të bëhet prej 1 korrikut të 2018-s.

Në pikën 5 të këtij aneksi thuhet se ‘koha e kompletimit të punimeve zgjatet për 152 ditë’.

Kjo, sipas KDI-së, ia ka pamundësuar shtetit që të kërkojë paratë e penalltive nga “Bechtel & Enka” për vonesat e ndërtimit të autostradës “Arbën Xhaferi”, e cila duhej të përfundohej në fund të 2018-s.

Por, ministri Pal Lekaj ishte zotuar se do të kërkojë nga kompania që të paguajë penallti, nëse vonohen punimet.

Por, me publikimin e aneksit të ri të kontratës, askush nga Ministria e Infrastrukturës nuk ka pranuar të flasë para kamerës për të.

Zyrtarë të Ministrisë kanë thënë se nuk kanë çfarë të flasin për këtë kontratë. Sipas tyre, sqarimet i kanë dhënë në një njoftim të shkruar, vonë pasditen e së hënës.

Në komunikatën për media, kjo ministri nuk e interpreton si zgjatje të kontratës këtë aneks të ri për pagesën e 53 milionë eurove, që do t’i derdhen në llogari “Bechtel & Enkas”.

Kjo kompani i kërkoi Kosovës të paguajë këtë penallti shkaku i vonesave të pagesave që Qeveria dështoi t’ia bënte asaj.