Arbëri

Stafi i Inspektorëve shëndetësorë vazhdon grevën, “koeficientet e reja bien ndesh me Ligjin”

Foto: Koha / ilustrim

Stafi i Inspektoratit Shëndetësor ka vendosur që të vazhdojë grevën e filluar me datë 21.01.2019 për shkak të pakënaqësisë me gradimin në bazë të Ligjit për paga.

Në bazë të Ligjit që u miratua në Kuvend të shtunën pas mesnate, sipas Diana Shehu Devajës, Inspektore Shëndetësore, ky gradim i bën ata me koeficient 3.5, që, sipas saj, është në kundërshtim me Ligjin për Inspektoratin Shëndetësor.

Ligji Nr.02/L – 38, paragrafi 8.2 Neni 8 i këtij Ligji thotë se “mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nuk mund ta bëjnë punëtorët me kualifikim më të ulët profesional se sa punëtori që është subjekt i mbikëqyrjes”.

“Kjo do të thotë se ne nuk mund të mbikëqyrim mjekët specialistë me koeficient 5”, ka thënë Shehu-Devaja.

Ajo ka bërë me dije se greva do të vazhdojë deri në anulimin e këtij vendimi dhe ka treguar për “Kohën Ditore” se do të zhvillojnë një takim me ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili.