Arbëri

SPRTK kërkon ligj që i garanton RTK-së statusin e Transmetuesit Publik

Foto: Koha

Sindikata e Pavarur e RTK-së ka reaguar pas miratimit të Ligjit për Paga, ku implikohet edhe RTK-ja. Kjo sindikatë ka kërkuar që të bëhet ligj i veçantë që i garanton statusin e Transmetuesit Publik RTK-së.

Në reagimin për media, kjo sindikatë thotë se e sheh pozitive rregullimin me ligj të dyshemesë dhe tavanit të pagave në sektorin publik, por thotë se rasti i RTK-së do të duhej të rregullohej përmes ligjit të saj, “pasi që RTK është institucion i Pavarur Publik dhe organizimi i brendshëm i saj është i përcaktuar me ligjin për RTK, statutin dhe rregulloret e saj”.

Sipas kësaj sindikate, një pjesë e përgjegjësisë për përfshirjen e RTK-së në këtë ligj e kanë edhe drejtuesit e RTK-së, pasi që në njërën nga alternativat e financimit kanë paraparë financimin 100% nga buxheti i shtetit, konkretisht 1.5% nga vlera e përgjithshme e tij.

Më tej në reagim, SPRTK thotë se nga nesër do të takohet me deputetët e të gjitha grupeve parlamentare, “në mënyrë që RTK ta ketë një ligj që i garanton asaj statusin e Transmetuesit Publik”.

“Draft ligji aktual i cili ka një kohë të gjatë që nuk po gjen përkrahje nga shumica e deputetëve, ka nevojë të ridefinohet në atë mënyrë që t'i forcojë mekanizmat që i garantojnë RTK-së pavarësi programore e editoriale, si dhe efikasitet në punën e saj”, thuhet në reagim.

SPRTK ka shprehur shqetësim edhe për mosgatishmërinë e Bordit që të rishpallë konkursin për drejtor gjeneral të RTK-së.

“Kuvendi i Kosovës do të duhej të kërkojë përgjigje nga Bordi pse ata refuzuan gatishmërinë e Britanikëve për ta monitoruar konkursin për drejtor gjeneral i cili në dhjetor të vitit të kaluar doli të jetë i dështuar”, thuhet më tej në reagim.

Në fund SPRTK ka bërë me dije se pagat e askujt nuk janë ulur në RTK dhe se kjo është çështje e brendshme e RTK-së, duke shtuar se insistojnë që pagat të rriten.

“Jemi të vetëdijshmëm se këto ditë keni qenë nën presionin e lloj lloj informate tendencioze, manipuluese, se kinse vendimet e fundit të Kuvendit do të ndikojnë ne uljen e pagave. SPRTK ju bën me dije se pagat e askujt nuk do të ulen dhe është çështje e brendshme e RTK -së se si do t'i rregullojë ato. RTK do të vazhdojë të menaxhojë me buxhetin në mënyrë të pavarur ashtu si deri tash. Përkundrazi ne do të insistojmë që pagat të rriten, ashtu siç është duke ndodhur në shumicën e institucioneve publike të vendit”, përfundon reagimi.