Arbëri

Rakiq: Jemi shqetësuar nga kërcënimi i Bahtirit me luftë – ne s’e kërcënojmë askënd

Presidenti i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka deklaruar se populli serb në Kosovë i ka pranuar me seriozitetin dhe shqetësimin më të madh “kërcënimet me luftë” të bëra nga kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Rakiqi tha se pret nga KFOR-i dhe EULEX-i, në pajtim me obligimet që i kanë me mandat, të rrisin vigjilencën dhe të ndërmarrin masa parandaluese në mënyrë që të mos vijë deri tek prishja e paqes dhe siguria e qytetarëve, raporton agjencia serbe e lajmeve “FoNet”.

“Kërcënime të këtilla të rrezikshme për paqen në këtë moment të tensioneve të mëdha mund të prishin në mënyrë të pakthyeshme stabilitetin e brishtë, të cilin, si përfaqësues të popullit serb, e kemi ndërtuar në kushte të pamundura”, ka thënë Rakiqi në një deklaratë të shkruar, transmeton Koha.net.

“Ne asnjëherë nuk e kemi kërcënuar dhe nuk do ta kërcënojmë askënd, por nëse dikush prek shtëpitë tona, në Mitrovicën sonë veriore, do të marrë përgjigjen e përshtatshme”, ka porositur Rakiqi.