Arbëri

Konjufca: Presidenti kërkon aleatë për idenë që Kosova funksionon më mirë nëse ndahet

Descriptive Text

Glauk Konjufca i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar në vende të ndryshme që të gjejë aleatë në idenë se Kosova funksionon më mirë nëse ndahet.

Në tryezën me temë diskutimi “Dialogu Kosovë-Serbi – Viti i Ri, Sfidë e vjetër”, organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Konjufca ka thënë se Thaçi e kushtëzon edhe kryeministrin Ramush Haradinaj.

“Presidenti ka shpenzuar në vende të ndryshme për me gjet aleatë në idenë që Kosova funksionon më mirë nëse ndahet. Ai nuk është vetëm president i Kosovës, por edhe kontrollues i copës së madhe të pushtetit. Ai e kushtëzon një kryeministër qe është i plogësht dhe i dobët. Hapi i parë pse kemi ardhur deri këtu është braktisja e kompetencave nga kryeministri kur ia dorëzoi dialogun Thaçit. Kryeministri ynë udhëhiqet prej lakmisë për pushtet dhe kjo ia mund edhe disa shqetësime që i ka për Kosovën. Kur në qershor ndryshoi projekti i Thaçit për Kosovën, menduam se kemi konsensus me Haradinajn, kur si opozitë propozuam rezolutë për ta kufizuar presidentin, por ata bojkotuan seanca. Krijimi i delegacionit nuk e cenon presidentin, vetëm ia legjitimon temat që do t'i ngritë ai. Zonja Mogherini është në projektin e Thaçit, jo delegacionit shtetëror. Ajo është deklaruar e lumtur se presidentët janë pajtuar shumë dhe se marrëveshja është afër”, ka thënë Konjufca.

Ai më tej ka shtuar se bashkëkryesuesi i ekipit negociator, “Shpend Ahmeti ka nisur të shqetësohet duke thënë se del prej ekipit, por duhet të japë përgjegjësi si erdhi deri këtu”.