Arbëri

Me ndryshimet e synuara në Ligjin për BQK-në do të publikohen emrat e bankave që gjobiten

Banka Qendrore e Kosovës, këtë vit, pritet të bëjë ndryshimin e Ligjit për BQK-në, i cili e rregullon funksionin e këtij institucioni.

Guvernatori Fehmi Mehmeti, ka thënë se është i interesuar që pjesë e ndryshimit të jetë edhe publikimi i emrave të bankave komerciale që BQK-ja i gjobit.

Në një bisedë për KTV-në, guvernatori ka deklaruar se pret përkrahjen e të gjitha institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që me ndryshimin që do t’i bëhet ligjit, të përfshihet edhe kjo.

Madje, për këtë arsye, thotë ta kenë kërkuar edhe përkrahjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili në maj pritet ta përfundojë raportin me rekomandimet për ndryshimet në ligj.

Por, të kundërtën e thotë përfaqësuesi i FMN-së për Kosovë, Ruud Vermeulen. Ai thotë se çdo praktikë e cila do ta dëmtonte stabilitetin financiar, është e preferueshme të mbetet e fshehtë.

Edhe Shoqata e Bankave të Kosovës, thotë se është kundër këtij ndryshimi.