Arbëri

Kroacia, e gatshme të mbështesë Kosovën në AP të NATO-s

Descriptive Text

Kroacia ka shprehur gatishmërinë e saj për të mbështetur Kosovën në Asamblenë Parlamentare të NATO-s që do të mbahet në Gjeorgji.

Kjo i është konfirmuar delegacionit të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga kryetari Elmi Reçica, në përbërje të të cilit janë edhe Blerta Deliu-Kodra e Zafir Berisha, anëtarë të komisionit, që po qëndrojnë në një vizitë zyrtare dyditore në Kroaci.

Delegacioni u takua me anëtarë të Komisionit për Politike të Jashtme, i kryesuar nga kryetari Miro Kovaç, me anëtarë të Komisionit për Çështje Evropiane, i cili kryesohej nga Franjo Luçiq, si dhe me udhëheqësin e Delegacionit të Kuvendit të Kroacisë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Mirosllav Tugjman.

Gjatë këtyre takimeve, u shpreh gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit në mes të komisioneve parlamentare, këmbimi dhe ndarja e përvojave rreth çështjeve integruese.

“Nga delegacioni kroat u shpreh gatishmëria për mbështetjen e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, që do të mbahet në Gjeorgji”, thuhet në një komunikatë për media të Kuvendit të Kosovës.

Njëkohësisht, delegacionet e të dyja vendeve iniciuan çështjen e finalizimit të partneritetit strategjik për bashkëpunim në mes të Kosovës dhe Kroacisë.

Delegacioni pasdite do të takohet edhe me udhëheqësin e Delegacionit të Kuvendit të Kroacisë në SEECP, ndërsa nesër do të takohet me Grupin e Miqësisë Kosovë-Kroaci.