Arbëri

Ismaili: Mjekët në Kosovë do t’i kenë pagat më të larta në rajon

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili është shprehur se me anë të kalimit të projektligjit për paga do të jetë një hap historik për gjithë sferën e shëndetësisë.

Siç u shpreh Ismaili, në holl të Kuvendit, për herë të parë gjithë punonjësit e këtij sektori do të trajtohen me një mirëqenie sepse do të rriten pagat e tyre.

Sipas të parit të shëndetësisë, kjo ngritje e pagës do t’i bëjë që mjekët në Kosovë të kenë paga më të larta në rajon.

“Për 20 vite me radhë kemi pasur një kërkesë të mjekëve dhe gjithë infermierëve që ata të trajtohen për një mirëqenie më të madhe dhe tani ky ligj për herë të parë parasheh një ngritje të pagës për të gjithë sektorin e shëndetësisë, specialistë, mjekët e mjekësisë familjarë, infermierët. Pra të gjitha kategorikë i parasheh si asnjë herë më parë. Do të ketë një ngritje dhe do të ketë paga me të larta nga të gjitha shtetet për rreth. Kjo na jep një sistem shëndetësor më të qëndrueshëm”, u shpreh ai.

Pas këtij vendimi, ministri theksoi se kushtet janë krijuar dhe pret që të ketë efikasitet dhe disiplinë më të lartë nga të gjithë mjekët.

“Kushtet janë krijuar që ata mos të kërkojnë punë mbas bazës mujore, por natyrisht kërkojmë më shumë disiplinë dhe produktivitet të punojnë më shumë. Nëse janë kryer katër operacione do të shohim se si ato t’i shtojmë me i bërë nga shtatë apo dhjetë”, tha ministri Ismaili.

Për më shumë se 6 javë, kirurgët dhe ortopedët kanë qenë në grevë pikërisht për rritje të koeficientit të pagave.