Arbëri

RTK-ja largohet nga ligji për pagat, bën thirrje që Kuvendi të miratojë ligjin e ri

Sindikata e Punëtorëve e RTK-së, ka njoftuar se RTK-ja është larguar nga ligji për pagat.

SPERTK, gjithashtu i bën thirrje Kuvendit që sa më parë të miratojë ligjin e ri të RTK-së, me të cilin do të zgjidheshin problemet e brendshme.

“Sindikata e Punëtorëve e RTK-së falënderon të gjithë kolegët e RTK-së dhe Shoqatën Sindikale të Radio Kosovës për mbështetje në dy protestat e mbajtura para pak ditësh, ku me mbështetjen e të gjithë kolegëve të RTK-së ia arritëm ta largojmë RTK-në nga ligji për pagat, sipas të cilit gazetarët do të trajtoheshin si shërbyes civilë, ndërsa RTK do të shndërrohej nga një medium publik në atë shtetëror”, thuhet në komunikatën për media, transmeton Koha.net.

SPERTK, thuhet tutje, i bën thirrje Kuvendit të Kosovës, që sa më parë ta miratojë ligjin e ri të RTK-së, i cili do t'i zgjidhte të gjitha problemet brenda RTK-së, përfshirë çështjen kryesore - atë të financimit të pavarur. SPERTK kërkon që ky ligj të miratohet sa më parë, në të kundërtën çdo vonesë tjetër është e papranueshme për kolegët e RTK-së.

“Në rastin e kundërt, ne do t'i vazhdojmë protestat së shpejti dhe do të përdorim masa të tjera të lejuara me ligjin sindikal. SPERTK më nuk do të tolerojë që RTK të mbetet në gjendjen e tanishme e krejt kjo në mungesë të ligjit të ri, i cili duhet të miratohet urgjentisht”, thuhet tutje.

Kujtojmë se 7 milionë e 444 mijë euro nga buxheti i shtetit, janë shpenzuar për të paguar pagat e 784 punëtorëve të punësuar në Televizionin Publik të Kosovës, përfshirë menaxhementin dhe Bordin, në vitin 2017. Në këtë shifër nuk përfshihen rreth 200 punëtorë që kanë kontratë mbi vepër, raporton KTV.

Bazuar në të dhënat e raportit të auditimit të fundi të RTK-së, një anëtar i Bordit është paguar 1 mijë e 268 euro në muaj. Por, Kuvendi i Kosovës i cili deri tash ka ndarë buxhetin çdo vit për RTK-në, kishte vendosur t’u vë një tavan pagave në televizionin publik.

Kështu, koeficientet për punëtorët aty janë nga 1 deri në 7, që i bie që paga më e lartë bazë në RTK do të jetë 1 mijë e 673 euro.

Kjo kishte nxjerrë në rrugë njërën nga Sindikatat e RTK-së, që kanë kundërshtuar një gjë të tillë duke e cilësuar këtë si ndërhyrje në pavarësinë e saj. Por, bazuar në rregulloren e brendshme të RTK-së, që përcakton pagat, rrogën më të lartë e ka zëvendësdrejtori i RTK-së, që paguhet 1 mijë e 803 euro.

Kurse, gazetarët kanë pagën bazë nga 654 deri në 739 euro.

Në këtë dokument nuk përcaktohet rroga e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, por bazuar në deklarimin e pasurisë drejtori i deritanishëm i RTK-së, Mentor Shala, ka pasur një rrogë neto vjetore prej 22 mijë e 724 eurosh.

RTK-ja, aktualisht, është duke funksionuar me ushtrues detyre të drejtorit, sepse konkursi është anuluar nga Bordi me arsyetimin se nuk ka pasur kandidat që i plotësonin kriteret e kërkuara.