Arbëri

Dita Ndërkombëtare e Ligatinave

2 shkurti i çdo viti është shpallur si “Dita Botërore e Ligatinave”. Kjo ditë shënon datën e miratimit të Konventës për Ligatinat në 2 shkurt 1971 në qytetin Iranian të Ramsar-it.

Ligatinat ose sistemet e “tokave të lagura”, janë sipërfaqe ujore të përhershme ose përkohshme deri në 6 metra thellësi, dhe përbëjnë një ekosistem mjaft i rëndësishëm që siguron larmi përfitimesh përfshirë filtrimin e ujit, sigurimin e biodiversitetit, mbrojtjen e bregdetit dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike.

Publiku i gjerë është pak i ndërgjegjshëm për këto shërbime të rëndësishme të ligatinave. Dita Botërore e Ligatinave është një mundësi e mirë për të kërkuar ndryshimin e situatës dhe ndërgjegjësuar publikun mbi rëndësinë që kanë ligatinat për të ardhmen e njerëzimit.

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka shënuar këtë ngjarje të rëndësishme mjedisore, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve qeveritare, Universiteti i Prishtinës, ekspertë të kësaj fushe si dhe përfaqësues nga organizatat jo qeveritare.

Fadil Bajraktari, drejtori Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, me këtë raste theksoi se në vargun e angazhimeve dhe aktiviteteve të IKMN/AMMK i ka kushtuar një vëmendje të posaçme mbrojtjes së natyrës dhe biodiversitetit e me theks të veçantë mbrojtjes së zogjve që është e ndërlidhur ngushtë me mbrojtjen e ligatinave.

Ndërsa, Halil Ibrahimi nga Departamenti i Biologjisë së Fakultetit të Shkencave potencoi se ekosistemet e ligatinave janë me biodiversitetin të pasure dhe ka shtuar se këto ekosisteme janë të rëndësishme sidomos për faktin se janë hapësira jetësore të shumë llojeve të zogjve.

Shënimi i 2 Shkurtit-Ditës Ndërkombëtare të Ligatinave sivjet korrespondon edhe me përvjetorin e dyzetë e tetë të Konventës së Ramsarit e cila është një marrëveshje ndërqeveritare që përcakton kornizën për një bashkëpunim ndërkombëtar në mbrojtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të ligatinave. Tema ndërkombëtare për shënimin e Ditën Botërore të Ligatinave për Vitinë 2019 ishte "Ligatinat dhe ndryshimet klimatike - Wetlands and climate change”.

Me qëllim të sensibilizimit të opinionit të gjerë për rëndësinë e ruajtjes së Ligatinave në veçanti dhe zogjve në përgjithësi, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës/Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, ka përgatitur arsyeshmërinë profesionale për shpalljen e Ligatinës së Hencit, Zonë e mbrojtur.

Ndërsa Qeveria e Republikës se Kosovës në vitin 2014 ka marrë vendimi për shpalljen e Ligatinës së Hencit, Zonë e Veçantë e Mbrojtur e Zogjve, me sipërfaqe prej 109 h.