Arbëri

AGK-ja dhe Inspektorati i Punës do të inspektojnë të gjitha mediat

Nga data katër shkurt, e deri në fund të muajit mars, do të inspektohen të gjitha mediet nga Inspektorati i Punës.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe kryeinspektori i Punës, kanë arritur një marrëveshje që gjatë kësaj kohe të inspektohet nga afër puna dhe kushtet e gazetarëve, raporton KTV.

Kryetarja e AGK- së, Gentiana Begolli-Pustina, ka treguar për problematikat që i përcjellin gazetarët.

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi, tha se nuk do të ketë asnjë përjashtim për asnjërin nga mediumet, në rast se haset në ndonjë shkelje.

Ai shtoi se do të ruhet anonimiteti i secilit gazetar që raporton për raste të tilla.

Ibrahimi ka thënë se, edhe pse numri i inspektorëve është i vogël, Inspektorati i Punës do të mundohet t’i identifikojë të gjitha rastet e shkeljeve.