Arbëri

SBASHK-u thotë se kërkesat për pezullim të grevës u përmbushën “përafërsisht”

Nga zyra e Kadri Veselit u dha lajmi i parë se nxënësit i kthehen të hënën mësimit, pas grevës 3-javore në arsim.

Në kabinetin e kryetarit të Kuvendit arritën të pajtohen Ramush Haradinaj me krerët e SBASHK-ut, pas një periudhe përplasjesh bashkë, raporton KTV.

Krerët shtetërorë kanë uruar nxënësit për nisjen e mësimit, ani pse me tri javë vonesë.

Por, pavarësisht pajtimit me krerët shtetërorë, drejtuesit e SBASHK-ut u desh ta merrnin miratimin nga këshilli drejtues.

Aty i njoftuan të gjithë përfaqësuesit e komunave me vendimin.

Megjithëse përcollën pakënaqësi nga komunat prej nga vinin, përgjithësisht, anëtarët e këshillit drejtues mbështetën marrëveshjen e drejtuesve të tyre me Qeverinë.

Por, pati nga ata që edhe e kundërshtuan.

Megjithatë, në fund, aty u vendos që greva të mos përfundojë, por të pezullohet deri kur ligji të hyjë në fuqi me këto koeficiente.

Ndërkohë, varet prej vullnetit të mësimdhënësve nëse duan t’i zëvendësojnë orët e humbura ose jo.

Drejtuesit e sindikatës kanë mohuar të kenë qenë pjesë e lojës politike, derisa kanë bërë apel tek institucionet të qëndrojnë karshi premtimeve, sepse SBASHK-u, sipas tyre, është më unik se kurrë.