Arbëri

Skandal i Prokurorisë së Specializuar, lejoi hyrjen e zyrtarit politik gjatë intervistimit të Lushtakut

Mesi i janarit i gjeti në Hagë ish-komandantë të UÇK-së, për të nisur zyrtarisht ballafaqimin me Dhomat e Specializuara dhe të Prokurorit të Specializuar.

Por, përderisa Rrustem Mustafa ishte vetëm me avokatët e tij, dy ditë më vonë, në të njëjtën veturë me Sami Lushtakun dhe ekipin e tij mbrojtjes, ishte edhe shefi i Zyrës për Mbrojtjen e të Akuzuarve nga Specialja, Driton Lajçi, raporton KTV.

Lajçi, që mban pozitë politike në Kosovë, në të cilën u emërua nga ministri i Drejtësisë, u fut bashkë me mbrojtjen në objektin ku u mor në pyetje Lushtaku.

Mandati i zyrës, sipas Lajçit, është vetëm koordinues, por ai nuk ka mundur të japë një përgjigje kur është pyetur nëse ishte në zyrën ku Lushtaku është marrë në pyetje, gjë të cilën nuk e ka mohuar gjatë kësaj interviste.

Lidhur me këtë çështje, KTV-ja ka kontaktuar edhe avokatin Geoffrey Nice, por i njëjti nuk ka pranuar të përgjigjet, sikur ka bërë edhe për një tjetër çështje: faktin se emri i tij nuk ndodhet ende në listën e avokatëve mbrojtës.

Por, dhomat e specilizuara e kanë arsyetuar këtë me faktin se avokati Nice është pjesë e një tribunali me kritere pranimi të ngjashme sikur Specialja.

Për këtë lëshim të Prokurorisë së Specializuar lidhur me Lajçin, zëdhënësi i këtij institucioni, Christopher Bennett, nuk ka pranuar të përgjigjet me arsyetimin se kjo ua pengon hetimet.

Koment për Lajçin, që deri vonë ishte këshilltar i Kadri Veselit, nuk ka pranuar të japë as zëdhënësja e dhomave të specializuara.