Arbëri

Opozita thotë se s’do të bojkotojë asnjë seancë plenare këtë sesion, por s’do të marrin pjesë gjithnjë në votim

Descriptive Text

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, edhe pse në sesionin vjeshtor kanë bojkotuar shumicën e seancave të Kuvendit, në sesionin pranveror kanë paralajmëruar pjesëmarrje në seancat plenare. Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, thekson se do të jenë të pranishëm në seancat plenare, por që do të marrin pjesë në votim vetëm në marrëveshjet ndërkombëtare.

Partia më e madhe opozitare në vend, vazhdon të kërkon që kjo Qeveri të shkojë në shtëpi dhe të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“Ne marrim pjesë në të gjitha seancat e Kuvendit, por qëndrimi jonë si LDK është i qartë kjo Qeveri nuk ka legjitimitet për të udhëhequr më tutje. Ne do të marrim pjesë vetëm në votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe ligjeve që lidhen me agjendën e integrimeve evropiane, është në interesin më të mirë të vendit që kjo Qeveri sa më parë të lëshojë rrugën”, ka thënë ai, raporton KP.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje do t’i kthehet punës së Kuvendit, duke lënë bojkotin. Kështu konfirmon shefi i deputetëve të kësaj partie, Glauk Konjufca.

“Po ne do të marrim pjesë, do të përgatitemi që të prezantojmë mendimet tona për ligjet dhe për pikat që aty do të sillen nga Qeveria e Kosovës, por edhe për shumë ligje në të cilat kanë punuar komisionet përkatëse dhe do të japim qëndrimet dhe mendimet tona për secilën pikë”, ka deklaruar ai.

Edhe deputetja e Partisë Socialdemokrate, Shqipe Pantina, ka bërë të ditur se do të marrin pjesë në seanca.

“Ne patjetër do të marrim pjesë dhe shpresojmë që rekomandimet tona do të mbështeten nga Kuvendi, gjegjësisht deputetët”, ka thënë ajo.

Ndërsa, Memli Krasniqi nga PDK-ja, u ka bërë thirrje të gjitha grupeve parlamentare që t’i kthehen punës në Kuvendin e Kosovës.

Sipas tij, të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në seanca për të dhënë kontributi në çështje që kanë të bëjnë me interesat e qytetarëve të vendit.

“Është një çështje që u takon atyre të vendosin, por do të ishte jashtëzakonisht pozitive për Kuvendin, për përfaqësimin e interesave qytetarë , pra janë mandate që secili prej nesh si deputet i ka qoftë në pozitë apo në opozitë që t’i kryejmë obligimet dhe detyrat tona. Pra, që të marrim pjesë në seanca pavarësisht qëndrimeve që mund t’i kemi për pika të caktuara pro ose kundër. Unë besoj që kontributi jepet duke qenë pjesëmarrës në seancë, duke kontribuar në debate dhe duke marrë pjesë në votim. Kështu që nuk e dimë, nuk i kam dëgjuar qëndrimet e tyre për këtë sesion, por po shpresojmë që do të jetë një qasje tjetër nga sesioni i kaluar”, tha ai.