Arbëri

Veseli: S’kanë rëndësi karriget institucionale, me rëndësi është partneriteti me SHBA-në

Foto: Koha

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se pak kanë rëndësi çështjet e brendshme dhe karrigia, por rëndësi ka shteti i Kosovës dhe partneriteti me SHBA-në.

Këto komente kryeparlamentari i bëri derisa ka bërë homazhe tek shtatorja e heroit Zahir Pajaziti me rastin e 22 vjetorit të rënies së tij.

“Pak kanë rëndësi çështjet e brendshme edhe karriget, nga e imja e tutje. Me rendësi është se shteti është i shenjtë që ka sakrificën e këtyre heronjve të cilët kanë rënë në altarin e lirisë dhe mençuria jonë që ta mbajmë këtë partneritet me ata të cilët kemi arritur lirinë, pavarësinë”, ka thënë Veseli, raporton Kosovapress.

I pyetur se nga takimi i sotëm që zhvilluan me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett, a ishte i nevrikosur ashtu siç po raportohet në media, Veseli u shpreh se i rëndësishëm është partneriteti me SHBA-në duke e ripërsëritur se në Kosovë nuk do të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive dhe këmbim territoresh.

“Nuk ka sovranitet dhe mbrojte të territorit të Republikës së Kosovës pa politika të mençura euroatlantike, pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tanë perëndimorë, të jenë të sigurt që jemi duke punuar intensivisht, nuk do të heq dorë për aq sa është i shenjtë sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit. Mitrovica do të jetë një, nuk do të ketë në Kosovë Asociacion me kompetenca ekzekutive, nuk do të ketë këmbim të territoreve dhe do të ketë partneritet të përjetshëm me SHBA-në”, ka thënë Veseli.