Arbëri

Trajkoviq: Radoiçiqi pritet të dorëzohet, prandaj Gjuriqi erdhi në Kosovë

Descriptive Text

Duke reaguar pas lajmeve se Millan Radoiçiq, i dyshuar për implikim në vrasjen e liderit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviqit, ka angazhuar avokatin Zhivojin Jokanoviq, Rada Trajkoviq ka thënë se nëse ai vendos të dorëzohet, do të mund të jetë dëshmitar i mbrojtur në procesin e ndriçimit të këtij rasti.

Kryetarja e Lëvizjes Europiane, Rada Trajkoviq i tha RTV Kim se ka indikacione që Radoiçiq të dorëzohet dhe në këtë favor flet ardhja e befasishme e Marko Gjuriqit në veri të Kosovës si dhe për "shqetësimin e Listës Serbe", transmeton Koha.net.

"Ai (Radoiçiqi) është në situatë të rëndë. Ai ka mundësi të ndryshme, por edhe rreziqe dhe mendoj se nuk është aspak budalla, madje e kundërta. Ai, nëse dorëzohet, do të mund të jetë madje edhe dëshmitar i mbrojtur dhe do të mund ta sqarojë rastin. Vetëm procesi juridik është legjitim që duhet të ndodhë dhe të jetë në funksion të drejtësisë për Oliverin", është shprehur Trajkoviq.

Rada Trajkoviq pret që Lista Serbe "t'ia marrë të drejtën Radoiçiqit të flasë në cilësinë e nënkryetarit të saj".

"Ky është komprometim për Serbinë, është komprometim për serbët e Kosovës, ky është komprometim për tërë këtë proces dhe hipotekë e rëndë ndaj të gjithë neve as të fajshëm as borxhlinj", ka thënë ajo në këtë medium kosovar në gjuhën serbe.

Trajkoviq konsideron se ky proces gjyqësor për zgjidhjen e rastit të vrasjes së Oliver Ivanoviqit do të mund të kishte ndikim të theksuar në Marrëveshjen e Brukselit.

"Ky proces, nëse do të ndodhë, e unë besoj se po, do të ndihmojë që të dalim të pastër nga kjo kohë e rëndë dhe që Oliveri të pushojë përfundimisht i qetë, nëse zbulohen urdhërdhënësit dhe kryesit e kësaj vrasjeje", ka shtuar ajo.

Por Trajkoviq nuk është e bindur se qasja e organeve gjyqësore të Kosovës ndaj Radoiçiqit varet nga fati politik i Ramush Haradinajt.

"Nuk besoj, sepse ata janë të afërm dhe disi kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe disi i kanë besuar njëri tjetrit", ka deklaruar Trajkoviq, transmeton Koha.net.

Ajo njëherësh nuk pret as rënien e Qeverisë së Ramush Haradinajt, por është e bindur se Lista Serbe do të kthehet dhe ta përkrah propozimin e buxhetit.